Edhe ministra, edhe kandidatë për kryetarë komunash – pasi ministri aktual i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, si dhe ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, kanë njoftuar se do të kandidojnë në zgjedhjet lokale që po afrohen, nga qeveria thonë se ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre ministrore derisa të marrin mandat si kryetarë komunash, përcjell INA.
“Derisa dikush të mos zgjidhet në zgjedhje, ai është ushtrues aktiv i funksionit që e ka. Për më tepër, të gjitha personat e emëruar kanë zëvendësuesit e tyre në mënyrë që të mos ketë ngecje apo mospërmbushje të detyrimeve.”, theksuan nga Qeveria për 24.mk.
Të njëjtin qëndrim kanë shprehur edhe nga VLEN, duke theksuar se të gjithë ministrat do t’i ushtrojnë detyrat e tyre qeveritare në përputhje me kompetencat ligjore, derisa të marrin mandat në zgjedhjet lokale.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe marrjes zyrtare të mandatit nga ministrat që do të zgjidhen për kryetarë komunash, do të hapet nevoja për reformim dhe riorganizim në qeveri, në koordinim të ngushtë me partnerët e koalicionit. Deri atëherë, të gjithë ministrat do të vazhdojnë me detyrat qeveritare sipas kompetencave ligjore.”, nënvizojnë nga VLEN.
Kjo praktikë ka ndodhur edhe në të kaluarën, mirëpo në shënjestër të kritikave kanë qenë rastet kur ministrat dhe funksionarët e tjerë shtetëror si kandidatë keqpërdornin burimet shtetërore për qëllime partiake gjatë periudhës zgjedhore. Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të muajit gusht.