Edhe një vatër lufte në botë, dy shtete aziatike futen në konflikt

Përleshje të armatosura shpërthyen midis Tajlandës dhe Kamboxhias herët këtë mëngjes, njoftuan ushtritë e të dy vendeve, duke pretenduar se të shtënat e para u qëlluan nga pala tjetër.

Ushtria tajlandeze tha në një deklaratë se forcat e armatosura nga Kamboxhia fqinje hapën zjarr në një zonë kufitare të diskutueshme pranë tempullit Ta Moan Thom, rreth 360 kilometra nga kryeqyteti Bangkok. Para se ushtarët me armë të rënda të dërgoheshin, një dron mbikëqyrës fluturoi mbi territor, shtoi deklarata.

Dy ushtarë tajlandezë u plagosën në shkëmbimin e zjarrit, dhe Kamboxhia përdori raketahedhës, tha një zëdhënës ushtarak.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias përgjigjet se forcat tajlandeze kryen inkursionin, ndaj të cilit forcat e tyre iu përgjigjën në vetëmbrojtje.

Përgjatë pjesës lindore të kufirit midis dy vendeve, kanë mbetur shumë mina tokësore nga lufta civile e Kamboxhias dekada më parë. Sipas vlerësimeve të grupeve të çminimit, ata numërojnë në miliona.

Javën e fundit, dy ushtarë tajlandezë humbën një gjymtyrë për shkak të minave gjatë patrullave të rregullta kufitare. Më pas, Tajlanda thirri ambasadorin e saj në Kamboxhia dhe kërcënoi të dëbonte ambasadorin kamboxhian nga Bangkoku.

Vendi fqinj është akuzuar se kohët e fundit ka vendosur mina tokësore në zonën kufitare, ndërsa Kamboxhia përgjigjet se këto janë akuza të pabaza.

Sipas një postimi në Facebook nga ish-kryeministri me ndikim i Kamboxhias Hun Sen, ushtria tajlandeze bombardoi dy nga provincat e tyre, ndërsa kryeministri tajlandez Phumtham Wechayachai tha se situata është shumë delikate.

Për më shumë se një shekull, Tailanda dhe Kamboxhia kanë kundërshtuar sovranitetin e njëra-tjetrës në pika të shumta përgjatë kufirit tokësor 817 kilometra të gjatë, gjë që në vitin 2011 çoi në një konflikt të armatosur.

Guvernatori i provincës Surin të Tajlandës, Chamnan Chuenta, u bëri thirrje banorëve në një postim në Facebook të strehohen në shtëpitë e tyre dhe të përgatiten për evakuim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu