Suedia ka zgjedhur strategjinë e duhur për të luftuar përhapjen e coronavirusit, tha kryeministri Stefan Lofven, duke mbrojtur vendimin e qeverisë për të mos miratuar një bllokim të rreptë siç kanë bërë shumë vende evropiane.
Më shumë se 5.800 suedezë kanë vdekur nga COVID 19, një normë shumë më e lartë e vdekjeve sesa te fqinjët e Norvegjisë, Danimarkës dhe Finlandës, raporton reuters.
Por Lofven tha se Suedia ka bërë zgjedhjen e duhur.
“Strategjia që ne miratuam, besoj se është e drejtë – të mbrojë individët, të kufizojë përhapjen e infeksionit, etj”, tha ai gjatë një interviste për të përditshmen “Dagens Nyheter”.
“Ajo që është diskutuar më së shumti dhe që Suedia bëri ndryshe, ishte se ne nuk i mbyllëm shkollat. Tani ka mjaft njerëz që mendojnë se kemi pasur të drejtë”, shtoi ai.
Ndërsa shumë vende zbatuan bllokime të rrepta, Suedia është mbështetur kryesisht në masa vullnetare të përqendruara në distancimin shoqëror, megjithëse tubimet publike kanë qenë të kufizuara dhe shtëpitë e përkujdesit – të cilat panë një numër të madh vdekjesh – të karantinuara.