Edi Rama firmos konfiskimin e 15 kullave të ndërtuara pa leje, i kalojnë shtetit

Kryeministri Edi Rama njofton sot firmosjen e konfiskimit të 15 kullave në Tiranë dhe jo vetëm, të cilat kanë disa kate shtesë apo edhe të ndërtuara plotësisht pa leje. Këto ndërtime do t’i kalojnë shtetit, tha Rama, pasi të gjitha hallkat ligjore tashmë janë kaluar.

Çfarë nuk na dëgjuan veshët dhe ç’nuk ju thanë kur e nisëm operacionin e ligjzbatimit për shkeljet e lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi! Por mes sfidave të mëdha të kohës që jetojmë dhe llumit të pandarë të gjysëm të vërtetave, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, do të vazhdoj t’ju them atë që bëj, e do vazhdoj ta bëj atë që them”, shkruan Rama, teksa ndan videon e mëposhtme.

Sipas kryeministrit, këto ambiente që tashmë me firmën e tij i kalojnë shtetit, do përdoren për zyra për administratën. Ai u përgjigj dhe atyre që e akuzuan për propagandë, duke thënë se asnjë metër dhe akt pa leje nuk do të kthehet mbrapsht.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

“Kam firmosur, pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik, hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.

Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë të gjithë, ka pasur shumë probleme në 30 vjet dhe kemi ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi nuk besoj se do të gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar. Kur e nisëm, çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik.

Është thjesht show për të larguar vëmendjen. Ja pra, nuk ishte e vërtetë.. Është pazar me oligarkët për tua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat dhe katet pa leje. Ja që as kjo nuk ishte e vërtetë. Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor! Gënjeshtër e madhe dhe kjo, sepse Qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd.

Edhe po të dojë, konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërtetë është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse e dezinformimit dhe ku gjysmë të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu