Kanë nisur përgatitjet për realizimin e investimit historik prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, një projekt që synon transformimin e plotë të këtij institucioni shëndetësor dhe modernizimin e shërbimeve për qytetarët.
Lajmin e bëri të ditur drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, nga radhët e VLEN-it, i cili theksoi se ky është hapi i parë zyrtar drejt realizimit të projektit më të madh që është planifikuar ndonjëherë për këtë spital.
Sipas tij, investimi do të përfshijë modernizimin e plotë të kapaciteteve spitalore, pajisjen me teknologji të avancuar dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor.
“Ky është hapi i parë zyrtar drejt transformimit më të madh që ka njohur ndonjëherë Spitali Klinik i Tetovës. Projekti do të sjellë modernizim të plotë të kapaciteteve, teknologji të avancuar dhe kushte dinjitoze për pacientët dhe stafin mjekësor”, ka deklaruar drejtori.
Ai shtoi se me këtë investim nis realizimi i një vizioni afatgjatë që pritet ta shndërrojë Tetovën në një nga qendrat më moderne shëndetësore në vend, duke rritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe standardet e trajtimit për qytetarët.










