Eni Çobanit s’i ikën inati me Agron Llakajn, i vendos afat për sqarime ose shihemi në gjyq

Raporti i juristes së njohur të “Shihemi në gjyq”, Eni Çobani, me aktorin e humorit, Agron Llakaj, nuk ka qenë i mirë për disa vite me radhë.

Në show-n e humorit “Al Pazar”, që transmetohet në “Vizion Plus”, Agron Llakaj ka pasur një pjesë të titulluar “Në gjyq me Lirën”, ku u fol se imitonte juristen, inspiruar nga rubrika e saj në programin “E diela shqiptare”, të titulluar “Shihemi në gjyq”.

Çobani nuk e fshehu dot indinjatën dhe pakënaqësinë që ajo ka ndaj këtij imitimi, i cili, siç thotë ajo, i ka shpërfytyruar figurën e saj. Teksa ishte e ftuar në një emision televiziv, Eni deklaroi se do ta hidhte në gjyq.

Megjithatë, kohë më vonë ajo ndryshoi qëndrim dhe gjyqi nuk u bë asnjëherë. Historia nuk vazhdoi më tej, por këtë javë është rikthyer debati në distancë i Enit me Llakajn gjatë emisionit “Rudina”. E ftuar në emision, Eni Çobani u vu përballë një loje me emoji, në të cilën duhej të komentonte fotot që dilnin në ekran.

Një prej tyre ishte edhe fotoja e Agron Llakajt. Sapo e pa foton, Eni u shpreh se nuk do flasë shumë për të, veçse kërkon nga ai një shpjegim.

“Nuk dua të flas më shumë. Ai është artist, secili prej nesh vlerësohet nga publiku. Dhe atij si çdo shqiptari i uroj një vit të mbarë, të suksesshëm dhe me lumturi! Kam pritur gjithë këto vite të marr një shpjegim. Unë jam një njeri shumë i duruar. Nuk kam marrë asgjë personale dhe për keq. Kam kërkuar një shpjegim, shpresoj në 2020-ën ndoshta më vjen një shpjegim”, u shpreh juristja.

Kujtojmë që dy vite më parë, Agron Llakaj e sulmoi fort Eni Çobanin dhe rubrikën e saj të së dielës, “Shihemi në gjyq”. Pasi në emisionin e tij në “Vizion Plus”, “Al Pazar”, Llakaj ishte inspiruar nga zonja Eni për personazhin e Lirës, kjo e fundit u shpreh: “Agron Llakaj ushqehet me mua”.

Pikërisht kjo shprehje e ka revoltuar Llakajn, që gjatë një interviste në “Nrg Radio” ia ktheu: “Në qoftë se ka një pjesë banale tek Ardit Gjebrea, është pikërisht gjyqi i Eni Çobanit. Dhe si të tillë, unë e kam marrë gjetje për të demaskuar këtë lloj gjyqi, pasi ajo mund të jetë një avokate e së drejtës, por ajo është një banalitet.

Po gjatë së njëjtës intervistë, Llakaj tregonte se Lira e spektaklit të tij nuk është një kopjim fjalë për fjalë i Eni Çobanit: “Ai personazh nuk është Eni Çobani. Po të ishte Eni, do t’ia vendosja emrin Eni Çobani, s’do t’ia vendosja Lira. Ajo është përzgjedhje marrë nga ekrane të ndryshme, duke marrë pak nga një personazh, pak nga një tjetër dhe është krijuar një personazh si Lira”, tha ai pasi e quajti “Shihemi në gjyq” të Eni Çobanit një banalitet.

Ky reagim i Llakajt erdhi si përgjigje pas deklaratës se Enit, se ishte ndierë e fyer nga ky imitim. Por edhe pse u tha se Eni dhe Agroni kishin bërë paqe, më pas u vërtetua se nuk ishte kështu.

Juristja ishte e ftuar së fundmi në emisionin “Treshat” dhe gjatë intervistës Bora Zemani e pyeti nëse Agron Llakaj e bën të qeshë. “Jo”, u përgjigj Eni prerë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu