Erdogan paralajmëron ditë të zeza

Turqia ka në plan të hapë një ambasadë në Jerusalemin Lindor, duke e njohur atë kryeqytet të Palestinës.
Deklarata u bë të dielën nga Presidenti Recep Tayip Erdogan, pak ditë pas thirrjeve në një samit të liderëve myslimanë për botën, që ta bëjnë të njëjtën gjë, ta njohin atë kryeqytetin e Palestinës. Nuk është ende e qartë se si do të vihet në zbatim ky plan nga autoritetet turke, pasi Izraeli kontrollon gjithë Jerusalemin dhe e quan qytetin kryeqytetin e tij të pandashëm.

Ndërsa, palestinezët e cilësojnë këtë tokë si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm të njohur nga OKB-ja, siç kanë qenë kufijtë përpara se Izraeli ta pushtonte Jerusalemin Lindor, në luftën e vitit 1967, duke e aneksuar me një lëvizje që nuk u njoh ndërkombëtarisht si e ligjshme.

Samiti i kombit mysliman ishte një përgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, që më 6 dhjetor të këtij viti, të njihte Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. Ky veprim ka kthyer në drejtim të kundërt politikat e jashtme shtatëdhjetëvjeçare të SHBA-ve, si dhe konsensusin ndërkombëtar mbi këtë çështje, se statusi i qytetit duhet t’u lihet negociatave izraelito-palestineze për paqe.

Erdogan tha në një fjalim për anëtarët e Partisë së tij, AK në provincën jugore, Karaman, se konsullata e përgjithshme turke në Jerusalem ishte tashmë e përfaqësuar nga një ambasador.

“Me vullnetin e Zotit, dita është afër, kur, zyrtarisht, me lejen e Perëndisë, ne do të hapim ambasadën tonë atje”, tha Erdogan. Jerusalemi, i respektuar nga hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, është shtëpia e faltores së tretë më të shenjtë të Islamit, si dhe Murit Perëndimor të Judaizmit, edhe në sektorin lindor, dhe ka qenë në qendër të konfliktit izraelito-palestinez për dekada të tëra. Ambasadat e huaja në Izrael, përfshirë Turqinë, janë të vendosura në Tel Aviv, duke pasqyruar statusin e pazgjidhur të Jerusalemit.

Në një tjetër takim në Stamboll, Erdogan tha se “nëse humbet Jerusalemi, nuk do të mund ta mbrojmë Medinën. Nëse humbet Medina, nuk do të mundë ta mbrojmë Mekën. Nëse shkon Meka, do ta humbasim edhe Qabenë”.

Ai shtoi: “Mos harroni se Jerusalem do të thotë Stamboll, Islamabad, Xhakarta. Medina do të thotë Kajro, Damask, Bagdad. Qabe do të thotë nder, dinjitet dhe qëllimi i ekzistencës për të gjithë ne si myslimanë. Ne nuk do të heqim dorë nga asnjëra prej këtyre. Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për t’u dalë zot urdhrave të Allahut dhe amanetit të paraardhësve tanë”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu