Erdogan paralajmëron Greqinë, Dodiku i Srpska-s e dëgjon vëmendshëm

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi sërish Greqinë të martën se do të përballet me një përgjigje ushtarake nëse vazhdon provokimet, siç janë avionët e fundit ushtarakë turq që u shënjestruan nga armët kundërajrore ndërsa fluturonin mbi ishujt e diskutueshëm në detin Egje.

Nëse ata kanë ishuj dhe baza ushtarake dhe pretendime të caktuara që janë të paligjshme dhe janë kërcënim për ne, një ditë do të humbasim durimin tonë. Kur e humbim atë, gjithçka mund të ndodhë”, tha Erdogan në një konferencë shtypi në Sarajevë kur u pyet për fërkimet e fundit me Greqinë.

Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë kanë qenë në një gjendje përkeqësimi të vazhdueshëm gjatë dhjetë viteve të fundit, dhe në vitin 2020 ato u përshkallëzuan deri në pikën e konfliktit ushtarak kur të dy vendet dërguan anije në ujërat e diskutueshme të Mesdheut Lindor.

Në fillim të qershorit, Erdogan kërcënoi edhe Greqinë për të njëjtat arsye, gjë që shkaktoi shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Militarizimi i ishujve grekë në detin Egje lindor është i ndaluar sipas Traktatit të Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatit të Parisit të vitit 1947. Athina pretendon se ushtarët grekë janë vendosur në ishuj për t’i mbrojtur ata nga anijet që u afrohen atyre nga bregu perëndimor i Turqisë.

Erdogan ndodhet në Bosnje në kuadër të një turi rajonal që përfshin dhe Kroacinë dhe Serbinë. Dhe, teksa paralajmëronte Greqinë me gjuhë armësh, Dodiku, udhëheqësi i diskutueshëm serb i Bosnjes, rrinte dhe e dëgjonte heshturazi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu