Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan paralajmëroi se Presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) së shpejti pritet të vizitojë Malin e Zi. Ajo tha se është duke u përcaktuar dita e vizitës dhe se kjo vizitë është dakorduar kur presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq mori pjesë në forumin e organizuar në Antalie.
Znj. Ozan theksoi se në Mal të Zi është i pranishëm një numër i madh i investitorëve turq siç është “Tosh Çelik”, “Net Holding”, “Gintash”, “Turkish Airlines” dhe një sërë kompanish ndërtimore të njohura edhe në botë. Në “Porto Novi” resort i njohur turistik kemi pasur 20 kompani që kanë punuar atje dhe rreth 2 mijë punëtorë të angazhuar. Sipas të dhënave që i prezantoi ambasadorja Songul Ozan në Mal të Zi janë të regjistruara 3.500 kompani turke, prej të cilave 400 janë aktive.
Po ashtu ekziston interesim i madh i investitorëve për të investuar në Mal të Zi, veçmas në sektorin e shëndetësisë, turizmit energjetikës dhe prodhimit të ushqimit organik. Në prononcimin për mediat në Mal të Zi ambasadorja turke veçmas u ndal tek rëndësia e 15 Korrikut – Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtarë Turk, kur shënohet 5-vjetori nga tentativa e grushtshtetit në Turqi. Kjo ngjarje u shënua edhe në një xhami të Ulqinit, ku për rëndësinë e kësaj date foli kryeimami i Bashkësisë Islame, Ali Bardhi.
Donacion i TIKA-s për komunën e Tuzit
Në shkurt të këtij viti kryetari i Komunës së Tuzit, Z. Nik Gjeloshaj, nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim ndërkombëtar (TIKA). Me këtë protokoll, Komuna fitoi automjetin në kuadër të projektit – “Rregullimi i ambientit dhe heqja e mbeturinave në Komunën e Tuzit”. Ndërsa, në ambientet e Komunës së Tuzit, u bë dorëzimi i automjetit, i cili do të përdoret për nevojat e Ndërmarrjes Komunale të Tuzit.
“Teksa përgëzoi kryetarin Gjeloshaj për punën dhe mënyrën e organizimit të Komunës, ambasadorja Songul Ozan tha se automjeti është dhuruar për të mbështetur qytetarët e Komunës së Tuzit dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. “I jam shumë falënderues dhe mirënjohës ambasadores dhe koordinatorit të Agjencisë TIKA për donacionin. Ky gjest bujar për Komunën tonë paraqet edhe një hap pozitiv në marrëdhëniet mes Republikës së Turqisë dhe Komunës së Tuzit, ku jam i sigurt se bashkëpunimi i dyanshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen”,- u shpreh Gjeloshaj.
Në shenjë falënderimi, kryetari Gjeloshaj, i akordoi Z. Abdurrahman S. Toprak, koordinatorit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar mirënjohje.
Mali i Zi shumë i vizituar nga turistët
Këto ditë të ngrohta korriku bregdeti i Malit të Zi është bërë gjithnjë e më tërheqës për turistë të vendeve të rajonit dhe më gjerë. Një numër i madh i turistëve janë duke pushuar në bregdetin e Ulqinit.
Nga Organizata Turistike thonë se janë të regjistruar mbi 18 mijë mysafirë, ku numrin më të madhe prej tyre e përbëjnë mysafirët tradicionalë nga Kosova. Shumica e tyre janë të vendosur në akomodimet private. Ndërkaq rreth 5 mijë të tjerë janë të akomoduar në hotele. Në pikën kufitare Sukubinë–Muriqan, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë, vërehen radhë të gjata edhe përkundrejt lehtësimeve të masave, që janë bërë nga të dyja palët. Autoritetet qeveritare janë duke punuar që të arrihet 60 përqindëshi i të ardhurave të realizuara në vitin rekord 2019, ku nga turizmi Mali i Zi realizoi mbi 1 miliardë e 100 milionë euro.









