Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar me tone të ashpra veprimet e Izraelit në Lindjen e Mesme, gjatë fjalimit të tij në sesionin e 51-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, që po mbahet në Stamboll.
Duke folur para liderëve të vendeve islame, Erdogan akuzoi Izraelin për ndjekjen e një politike sistematike shkatërrimi dhe pushtimi në dy vitet e fundit, e mbështetur pa kushte nga vendet perëndimore.
“Për dy vite rresht, Izraeli ka ndjekur politika të shkatërrimit, pushtimit dhe dhunës, dhe për këtë ka marrë mbështetje të pakushtëzuar nga vendet perëndimore,” u shpreh ai. “Izraeli nuk ka sulmuar vetëm Gazën, por edhe Libanin, Jemenin dhe Sirinë. Tani, edhe fqinji ynë Iran është përballë terrorizmit shtetëror izraelit”- tha Erdogan.
Presidenti turk e cilësoi qeverinë e Benjamin Netanyahu-t si “pengesën më të madhe për paqen rajonale” dhe dënoi me forcë sulmet izraelite ndaj Iranit.
Erdogan gjithashtu shprehu shqetësim të thellë për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa, vendi i parë i shenjtë për myslimanët. “Shënjestrimi i shenjtërisë së Qiblës sonë të parë, Xhamisë Al-Aksa, dhe përpjekjet për të uzurpuar këtë shenjtëri janë të papranueshme,” tha ai.
Në një krahasim të fortë historik, Erdogan paralajmëroi se ambiciet sioniste të Netanyahu-t mund të kenë pasoja katastrofike globale. “Ashtu si shkëndija e ndezur nga Hitleri 90 vjet më parë që dogji botën, po ashtu edhe ambiciet sioniste të Netanyahu-t nuk kanë tjetër qëllim veçse të tërheqin botën drejt një katastrofe,” theksoi presidenti turk.
Në përfundim të fjalës së tij, Erdogan i bëri thirrje vendeve që kanë ndikim mbi Izraelin që të mos bien pre e propagandës, duke kërkuar që zgjidhja të vijë përmes dialogut e jo dhunës:
“U bëj thirrje vendeve me ndikim mbi Izraelin të mos dëgjojnë helmimin e tij. Zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut”- theksoi Erdogan.