Eskalojnë tensionet, Çekia i jep ultimatum 24-orësh Rusisë, reagon Moska

Republika e Çekisë e paralajmëroi Rusinë të mërkurën se do t’i dëbojë edhe më shumë diplomatë, nëse stafi i dëbuar i Ambasadës Çeke në Moskë nuk lejohet të kthehet në punë deri në mesditën e së enjtes.

Në një përplasje diplomatike rreth rolit të pretenduar të Rusisë në shpërthimin vdekjeprurës në një depo armësh në Çeki, autoritetet çeke dëbuan 18 diplomatë rusë më 19 prill. Në anën tjetër, Rusia u hakmor menjëherë duke dëbuar 20 diplomatë çekë nga Moska.

Masa hakmarrëse nga Kremlini e ka nxitur përplasjen më të madhe mes Pragës dhe Moskës që nga përfundimi i sundimit komunist më 1989, duke e vendosur shtetin e vogël evropian në qendër të rritjes së tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Ministri i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jakub Kulhanek, tha para gazetarëve të mërkurën se Rusia ka kohë deri në orën 12 të mesditës së të enjtes që ta lejojë kthimin e të gjithë diplomatëve të dëbuar në Ambasadën Çeke në Moskë.

“Nëse ata nuk mund të kthehen, unë do ta zvogëloj numrin e stafit të Ambasadës Ruse në Pragë për t’u përputhur me gjendjen e tanishme në Ambasadën Çeke në Moskë”, tha kryediplomati i Republikës Çeke, i cili u emëruar ministër saktësisht në ditën kur e bëri këtë deklaratë – të mërkurën.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Praga duhet t’i ruajë ultimatumet për komunikim brenda NATO-s. “Me Rusinë, një ton i tillë është i papranueshëm”, tha ajo, duke shtuar se Moska do ta thërrasë në raportim ambasadorin çek të enjten.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu