Në tetor pritet të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa gara për komunën e Tetovës po shihet si një ndër më të ashpëra, mes koalicionit opozitar VLEN dhe Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI, mëson Tetova1.
Bilall Kasami, kryetari aktual i komunës, do të kërkojë mandatin e dytë përballë Bajram Rexhepit nga BDI. Sipas një ankete të realizuar nga UBO Consulting, Kasami del fitues bindshëm në preferencat e qytetarëve shqiptarë për kryetar të Tetovës.
Në fillim, kandidati më i preferuar pas Kasamit ka rezultuar të jetë Ilir Demiri nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), pjesë e Frontit Evropian. Mirëpo, pas ndarjes së komunave brenda koalicionit, Tetova i është caktuar BDI-së. Si rrjedhojë, BDI ka vendosur të garojë me nënkryetarin e saj, Bajram Rexhepi.
Anketa është zhvilluar më 9, 10 dhe 11 korrik, me metodë përzgjedhjeje rastësore çdo të tretën shtëpi nga ana e majtë, dhe përfshin 600 të anketuar. Rezultatet në përqindje janë si më poshtë:
• Bilall Kasami – 43.7%
• Ilir Demiri – 24.6%
• Bajram Rexhepi – 3.9%
• Miqireme Rusi – 2.2%
• Tjetër – 1.5%
• Nuk e di / I pavendosur – 7.5%
• Asnjërin – 15%
• Refuzoj të përgjigjem – 2.3%
Këto të dhëna sinjalizojnë një epërsi të ndjeshme të Kasamit në këtë fazë parazgjedhore, ndërsa koalicionet rivale ende po përpiqen të konsolidojnë mbështetjen e tyre në qytetin kyç të Tetovës. /Tetova1