Evakuohet kryeqyteti i Koresë të Veriut, ushtria mer pozicionet

Pretendohet se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong ka urdhëruar evakuimin urgjent të kryeqytetit Pyongyang dhe kalimin e ushtrisë në pozicion lufte.

Gazeta ruse “Pravda” në një lajm që e mbështet në median koreanoveriore shkruan se ushtria e Koresë së Veriut ka marrë pozicion lufte dhe në vend kanë rënë sirenat.

Burime nga Koreja e Jugut njoftojnë se në anën tjetër të kufirit (në veri) populli është orientuar drejt bunkerëve dhe strehimeve të nëndheshme.

Ndërsa lëvizja që e ka shtuar edhe më shumë tensionin ndodhi në orët e mbrëmjes.

Pas deklaratës që erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), e cila i shpalli si ‘vijë të kuqe’ provat me armë bërthamore, udhëheqja e Koresë së Veriut kërkoi nga gazetarët e huaj në vend që të përgatiten për “një ngjarje të madhe të rëndësishme ditën e enjte”.

Pyongyang në përgjithësi është i izoluar nga bota, por në prag të provave të mëdha ushtarake lëshon leje pune për gazetarët e huaj.

Nga ana tjetër vendi po përgatitet edhe për manifestimet që do të zhvillohen më 15 prill me rastin e 105-vjetorit të lindjes së liderit themelues të vendit, Kim il-sung.

Në këto manifestime në përgjithësi zhvillohen parada ushtarake dhe testohen armët më të sofistikuara të vendit.

Pas dërgimit të një grupi anijesh nga flota amerikane në Gadishullin Korean, edhe Japonia bëri të ditur se po përgatitej të merrte pjesë në këtë mision me disa anije të saj.

Sipas lajmit të britanikes “The Guardian” me këtë lëvizje Japonia synon të “shkëshillojë” Republikën Demokratike Popullore të Koresë.

Ndërsa në deklaratën e bërë nga Koreja e Jugut u tha se Seuli nuk do ta mbështesë këtë sulm “parandalues” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër Ministria kineze e Mbrojtjes përgënjeshtroi pretendimet mbi dërgimin e 150 mijë ushtarëve në kufirin me Korenë e Veriut.

“Pretendimet që kanë zënë vend në shtypin evropian dhe amerikan në formën se Pekini është vënë në alarm pas rritjes së tensionit me Korenë e Veriut dhe udhëheqja e Pyongyang-ut ka dërguar 150 mijë ushtarë në kufi janë lajme të prodhuara nga raporte të përgatitura “me pakujdesi”, thuhet në komunikatën e ministrisë kineze të Mbrojtjes.

Gjithashtu komunikata thekson edhe një herë qëndrimin e Kinës në lidhje me këtë çështje dhe u bën apel të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë për t’u kthyer në një datë të afërt në tryezën e negociatave për çmilitarizimin e Gadishullit Korean nga armët nukleare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu