EVN u përgjigjet protestuesve: Adresa e gabuar, komisioni rregullator vendos për çmimet

Derisa në disa qytete po organizohen protesta para Korporatës elektroenergjetike EVN Maqedoni, për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë që është përcaktuesi i çmimit të energjisë thonë se në adresë të tyre nuk ka trokitur askush. Nga ky institucion thonë se janë të hapur për çdo kërkesë të qytetarëve që ka të bëjë me çmimin e energjisë elektrike.

“Deri në këtë moment asnjë grup formal apo joformal i qytetarëve nuk është drejtuar deri te Komisioni Rregullator për Energjetikë në lidhje me çmimin e energjisë elektrike. Në qoftë se grupet e qytetarëve janë të interesuar, ne jemi institucion i hapur dhe transparent. Jemi të përgatitur që të ju mundësojmë takim, në të cilën do të bisedonim për të gjitha aspektet ligjore dhe teknike, të lidhura me formimin e çmimit të energjisë elektrike dhe pyetjeve tjera që kanë të bëjnë me tregun”, nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.

Por njëri nga organizatorët e protestave në Tetovë, Blerim Fejzuli këmbëngul në atë se EVN është ajo që bartë përgjegjësi për çmimin e lartë të energjisë elektrike dhe se kjo kompani, sipas tij, duhet të zgjidhë këtë problem.

“Ne do të kërkojmë prej EVN-së, që të plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre. Përgjigja e tyre ishte se përgjegjësia nuk është vetëm tek ta, por edhe tek Komisioni Rregullator për Energjetik, për të ndryshuar çmimin. Por neve nuk ka intereson ajo, neve na interesojnë faturat që na vijnë nga EVN, paratë që na i merr EVN, rrymën që na e ndalën EVN. Krejt çka bohet bëhet prej EVN-së, dhe është punë e saj se si do ti rregullojë këto probleme. Ne s’kemi të bëjmë ne me Komisionin Rregullator për Energjetikë, atë punë me ta le ta rregulloj EVN”, tha Blerim Fejzuli, organizator i protestave kundër EVN-së.

Organizatorët e protestave theksuan se nesër është afati i fundit që EVN duhet ti kthejë përgjigje me shkrim lidhur me kërkesat për uljen e çmimit të energjisë elektrike. Nga kompania EVN kanë përsëritur qëndrimin se protestuesit janë drejtuar në adresë të gabuar dhe se ata duhet të drejtohen tek Komisioni Rregullator për Energjetikë. Në përgjigjen e kësaj kompanie për TV21 thuhet se do të kontribuojnë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

“Në shkresën tonë që do t’ia drejtojmë organizatorëve të protestave do të qartësohen edhe kërkesat që nuk janë në kompetencë të kompanisë sonë, por të Komisionit Rregullator për Energjetikë, siç janë çmimi për energji elektrike, fuqia e angazhuar prej 33 për qind, e cila që para 3 viteve nuk figuron në faturat e energjisë elektrike, si dhe çështje tjera të cilat duhet të kontribuojnë që të tejkalohet gjendja aktuale”, theksuan nga EVN Maqedoni.

Protestat kundër çmimeve të larta të energjisë elektrike u organizuan nga këshilli i protestave në Tetov dhe Shoqata e elektriçistëve shqiptar “Drita” nga Shkup. Protestë e këtillë u mbajt dje edhe në Dibër, ndërsa protestat e radhës do të mbahen të premten në Shkup dhe Tetovë, dhe se ato do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. 21 Maqedoni


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu