Familja Bajrami kërkon drejtësi për dy anëtarët e vrarë nga forcat serbe

Dhimbja në boshtin kurrizor si pasojë e goditjes që kishte marrë nga çizmet dhe kondakët e armëve të paramilitarëve serbë në vitin 1999, ia kujton çdo ditë Bujar Bajramit axhën e vrarë, Haki Bajrami.

Ishte vetëm 16-vjeç, kur dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 26 mars 1999, një grup paramilitarësh serbë rrethuan njerëzit që prisnin autobusin për në Prishtinë, në stacionin e autobusëve të Fushë-Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Pasi i ndanë gratë dhe fëmijët nga burrat, forcat serbe i morën disa persona dhe i dërguan në një lëndinë aty afër, për t’i torturuar çnjerëzisht.

Ndër ta ishte edhe Bujari me axhën e tij Hakiun, bashkëshortja e Hakiut, vajza dhe familjarë të tjerë.

Kjo ishte hera e fundit kur ai e pa axhën e tij të gjallë, të cilin bashkë me disa të tjerë forcat paramilitare serbe e kishin futur në një kompanjollë (automjet që përdorin forcat paramilitare) për ta dërguar në drejtim të panjohur. Haki Bajrami më pas ishte gjetur i vrarë në një varrezë masive në Prishtinë, të hapur pas luftës.

Këtë ngjarje Bujari e ka rrëfyer për gazetën “Koha Ditore” disa ditë pas caktimit të masës së paraburgimit për romin me shtetësi serbe, Skender Bislimi, i cili dyshohet se bashkë me Ivan Radivojeviqin dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe kanë marrë pjesë në rrahje dhe tortura të qytetarëve shqiptarë të mbledhur në një stacion të autobusëve në Fushë-Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu