A ka ardhur momenti i rikthimit të ish- liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano?!
Ka qenë vetë kreu i PS-së, Edi Rama, ai që gjatë një aktiviteti për reformën në Drejtësi u bëri një ftesë të hapur ish figurave kryesore të partisë, ndër ta edhe ish- kryeministrin Fatos Nano.
“Për ti dhënë mundësinë atyre që janë më të rinj që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë që nuk kanë pasur mundësi ti dëgjojnë protagonistët e së djeshmes.
Sigurisht që duhet të bëj bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Ethem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktuara me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha”, tha Rama.
Nuk dihet nëse kjo ftesë është për të dhënë kontribut në forcimin e partisë apo një “nostalgji”.
Kujtojmë që gjatë evenimenteve të fundit të Partisë Socialiste, Rama i ka bërë ftesë ta hapur Fatos Nanos, por ky i fundit gjithmonë ka refuzuar.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë një takimi të fondacionit “Qemal Stafa” i krijuar në vitin 2008 kur PS ishte në opozitë.
Gjatë vitit të kaluar ka qenë vetë Rama ai që zbuloi se komunikon shpesh me Fatos Nanos, madje ky i fundit e këshillon në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri.










