Federata e Futbollit e Turqisë ka lëshuar një njoftim të hënën për tifozët që do të jenë në Prishtinë për ta përcjellë ndeshjen me Kosovën.
Takimi i tifozëve të Turqisë do të bëhet në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të jetë edhe një ekran gjigant.
Sipas njoftimit të federatës turke, ndeshja e së martës mbrëma karakterizohet “e profilit të lartë”.
Tifozët turq janë njoftuar që përdorimi i mjeteve piroteknike është i ndaluar dhe paraqet “krim”.
Është e veçantë edhe pjesa e njoftimit për himnet.
“Himni ynë duhet të këndohet me zë të lartë dhe njëkohësisht nga të gjithë tifozët tanë. Himni i Kosovës duhet të dëgjohet me respektin më të madh, në këmbë dhe në heshtje”, shkruan në njoftim.
Janë dhënë edhe shumë informata të tjera të vlefshme për tifozët.










