Fetai e Qoku vizitojnë Lëvizjen Vetëvendosje, me Kurtin dhe Konjufcën flasin për zgjedhjet lokale

Zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe deputeti Bekim Qoku, nga radhët e VLEN, kanë vizituar Lëvizjen Vetëvendosje. Fetai njofton se mes tjerash, në takim është folur për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në Maqedoninë e Veriut, por edhe për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në Kosovë.

“Së bashku me Koordinatorin e Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, dhe delegacionin e Aleancës për Shqiptarët, të përbërë nga deputetja Mimoza Musa, Bashkim Bakiu dhe Yllka Nuredini, sot vizituam Lëvizjen Vetëvendosje. Aty u pritëm nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, njëherit Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si dhe nga Nënkryetari i Parë dhe deputeti Glauk Konjufca. Biseduam për përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat rastisin të mbahen në tetor si në Maqedoninë e Veriut ashtu dhe në Kosovë, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërpartiak në të ardhmen. U pajtuam për të vendosur komunikim të rregullt dhe bashkërendim për të nxitur progresin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive dhe vendeve tona”, ka shkruar Fetai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu