Komuna e Bogovinës po ndërmerr hapa për përmirësimin e kujdesit dhe përfshirjes sociale të të moshuarve. Kryetari i komunës, Feti Abazi, njoftoi se është nënshkruar kontrata për themelimin e Qendrës Ditore për të Moshuarit, e cila pritet të nisë funksionimin së shpejti.
Në këtë qendër do të organizohen aktivitete të ndryshme, me fokus në përmirësimin e cilësisë së jetës, mirëqenies dhe përfshirjes sociale të personave të moshës së tretë.
Projekti po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Abazi thekson se kjo qendër përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një komuniteti më gjithëpërfshirës, ku kujdesi dhe dinjiteti u takojnë të gjitha gjeneratave.
“Shumë shpejt do ta promovojmë dhe hapim këtë qendër për qytetarët tanë”, ka deklaruar kryetari Feti Abazi.










