Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një emision në TV Sitel, paralajmëroi se javën e ardhshme do të vendoset nëse do të ashpërsohen masat për mbrojtje nga Covid – 19, pasi kohëve të fundit është rritur numri i të infektuarve.
“Ditëve të fundit kemi pasur komunikim intensiv me anëtarët e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe atë që e bëjmë tani është se i ndjekim numrat, nëse ky trend i rritjes së numrave do të vazhdojë, nëse do të jetë pasqyrë e njëjtë si në muajin nëntor. Tani për tani nuk është. Me fillimin e javës së ardhshme do të vendosim nëse nevojiten masa shtesë restriktive apo jo”, paralajmëroi Filipçe.
Ai foli edhe për furnizimin e vaksinave dhe i përsëriti paralajmërimet e kryeministrit, Zoran Zaev se të dielën me post të shpejt duhet të arrijnë vaksinat e para ruse.
Sa i përket vaksinave kineze për të cilat u tërhoq paradhënia, Filipçe tha se pengesat janë tejkaluar dhe se 200 mijë doza nga vaksinat e “Sinofarm” duhet të arrijnë për njëherë, por nuk precizoi afate konkrete se kur.
“Tani është sqaruar procedura administrative, tani flasim se kur duhet të arrijë ajo vaksinë. Atë që e dimë me siguri është se flasim dhe për atë ka marrë obligim edhe pala kineze, e gjithë sasia do të arrijë për njëherë. Por, tani me të vërtetë nuk e di, pres informata”, tha ai.
Filipçe përkujtoi se këto ditë kanë filluar bisedimet me “AstraZeneca”, për sasi prej 200 mijë dozave dhe shtoi se po bisedohet për detajet.










