Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, konfirmoi se Fatmir Bytyqi do të jetë nënkryetari i ri i partisë, në një paraqitje në 4TV, duke folur për përfaqësimin e komuniteteve të ndryshme etnike dhe konceptin e “Një shoqëri për të gjithë”.
“Do të kemi një nënkryetar, Fatmir Bytyqi, i cili është shqiptar”, tha Filipçe, duke theksuar se partia ka edhe një anëtar shqiptar të Bordit Ekzekutiv, si dhe një deputet nga komuniteti vllah.
Ai theksoi se LSDM mbetet e përkushtuar ndaj konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe se etnia nuk duhet të jetë masë e vlerës dhe aftësive të një personi.
“Pavarësisht nëse je maqedonas, shqiptar apo turk, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se çfarë lloj personi je, sa i vlefshëm je, sa i arsimuar je, sa shumë kontribuon në shoqëri”, tha Filipçe.
Duke folur për marrëdhëniet ndëretnike, kreu i LSDM-së tha se maqedonasit dhe shqiptarët nuk janë kombe armike.
“Ne nuk jemi kombe armike, kështu që politika duhet të ndërhyjë, të na qetësojë”, tha ai.
Sipas Filipçes, bashkëjetesa e maqedonasve dhe shqiptarëve në vend mund të jetë një shembull në botë. Ai shtoi se politikat duhet të krijojnë kushte që qytetarët të përparojnë sipas arsimit, njohurive dhe aftësive profesionale.










