Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, njoftoi ndryshime të brendshme partiake në metodën e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komune dhe këshilltarë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Do të propozoj që këshilltarët të kenë një mandat dyvjeçar, dhe pastaj ata të radhës nga lista do të hyjnë në këshill. Në këtë mënyrë, do t’u japim dy herë më shumë shokëve tanë një shans për të qenë këshilltarë brenda mandatit katërvjeçar. Kjo është e drejtë dhe ofron një mundësi për përfshirje më të madhe”, tha Filipce në një takim me Organizatën Komunale të LSDM-së Aerodrom.
Ai njoftoi gjithashtu një kod të ri sjelljeje që të gjithë këshilltarët do të duhet ta nënshkruajnë: “Disa nga këshilltarët e mëparshëm nuk e kryenin mirë punën e tyre, disa bashkëpunuan me kryetarë komune nga VMRO-DPMNE, por vetëm për interesa personale. Kjo nuk do të lejohet më. Do të ketë sanksione për shkeljen e kodit.”
Lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve, kryetari i LSDM-së tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që vjen nga baza.
“Ju në organizatat komunale e dini më mirë se kush ka kapacitetin dhe besimin e qytetarëve. Nuk dua të imponohem, por të dëgjoj”, tha Filipce mbrëmë në Aerodrom.
Filipce iu drejtua edhe qeverisjes aktuale lokale në Aerodrom, duke vënë në dukje:
“Jam i befasuar që VMRO-DPMNE po propozon përsëri kryetarin aktual të Aerodromit. Sipas mendimit tim, Aerodromi nuk ka pasur kurrë një kryetar më të keq.”