“Do fitosh miliona”, mori kredi për t’i dhënë me fajde, ja si e pësoi 55-vjeçarja nga Tirana

Kanë kaluar 15 vjet pas vitit 1997, por një 55-vjeçare në Tiranë nuk i ka bërë ballë tundimit për të dhënë para me fajde. Ajo është joshur nga premtimi i një personi të njohur rastësisht, se do t’i jepte përqindje të kënaqshme, raporton “Panorama”.

Shtetasja me iniciale F.B. i ka dorëzuar atij në kohë të ndryshme shuma të mëdha, plot 72 mijë euro në total, një pjesë të të cilave i kishte marrë me kredi.

Historia e nisur në vitin 2012 ka marrë kthesë një vit më vonë. Pasi kishte marrë disa shuma të vogla si përqindje, F.B. nuk mori më të tilla dhe as paratë e saj mbrapsht. Për këtë shkak, ajo kallëzoi personin të cilit i dha paratë, 41-vjeçarin Andi Sinojmeri.

Në 17 nëntor 2016, Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin ndaj Sinojmerit për akuzën e “mashtrimit” me pasoja të rënda. Ai u shpall i fajshëm dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. I pandehuri Sinojmeri është gjykuar në gjendje të lirë. Vendimi i Gjykatës nuk e çon atë në qeli, për shkak se nuk është një vendim i formës së prerë.

HISTORIA

Në kallëzimin e saj, shtetasja F.B. ka rrëfyer se përmes një të njohuri të familjes është njohur me të pandehurin Andi Sinojmeri. Në takimet me të ajo ka mësuar se ai qarkullonte sasi të mëdha parash, duke ofruar përqindje për mbledhjen e tyre nga shtetas të ndryshëm.

Sipas marrëveshjes për shumat e marra nga shtetasja F.B., shprehet Gjykata, i pandehuri i ka dhënë asaj si përqindje interesi 1 mijë euro në harkun kohor mars 2012 -prill 2013. Pas kësaj periudhe, i pandehuri ka ndërprerë dhënien e interesave për shumat e marra.

Njëkohësisht, me gjithë kërkimet e përsëritura nga ana e kallëzueses për shumën 72 mijë euro të dhëna prej saj, ai nuk e ka kthyer shumën. Duke u ndjerë e dëmtuar materialisht në shumen e mësipërme, si dhe e mashtruar nga veprimet e të pandehurit, e dëmtuara F.B. është paraqitur në organet policore ku ka depozituar kallëzimin penal ndaj të pandehurit.

Mbi konstatimin e faktit penal të mësipërm, si dhe kryerjen e veprimeve hetimore dhe proceduriale, organi i akuzës ka filluar çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Andi Sinojmeri, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale siç përshkruhet në pjesën hyrëse të këtij vendimi./Albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu