Fjala e Hamdi Nuhiut në promovimin e librit të Valon Nuhiut ‘Fjalë për ty’ (VIDEO)

‘Fjalë për ty’, ky ishte titulli i librit të promovuar nga autori Valon Nuhiu. Gjatë promovimit të këtij libri fjalën e mori edhe publicisti njëkohësisht dhe profesori i njohur Hamdi Nuhiju.

Në vazhdim fjala e tij e plotë

“Përshëndetje të gjithëve. Sot është 22 nëntor i vitit 2022 ku në qytetin e Kumanovës po shënojmë dy ngjarje të rëndësishme kulturore nga e kaluara dhe e tashmja. 22 nëntorin si një datë historike që na përkujton alfabetin e gjuhës shqipe si dhe ‘ Fjalën ’ që poeti kumanovar Valon Nuhiju ka thënë për ty.

Shqiptarët i lanë anash ndasitë e tyre dhe u bashkuan rreth një formule të alfabetit me germa latine. Mbisundoi vetëdija e lartë kulturore dhe artistike, ranë poshtë interesat grupore dhe të rrymave të ndryshme. I dhanë një goditje të fuqishme stuhive që dëshironin të përçanin indin tonë kombëtar.

Fal unifikimit të tyre, ne sot me krenari ruajmë vlerat e gjuhës shqipe si dhe prodhojmë vepra të ndryshme letrare e artistike.

Ndoshta do të duket si digresion, por a do të njoftoheshim me poezinë, fjalën e bukur, shkencën hyjnore pa këtë ngjarje historike? Poezia mund të duket tej-kohore, por gjithmonë është e shprehur me fjalë. Vargje, tinguj të cilat me mjeshtri janë ndërtuar nga programuesit e të ardhmes. Fal atij unifikimi kombëtar, gjeneratë pas gjenerate në çdo cep ku jetojnë shqiptarët nxjerrim emra të rinj që dinë të lëvrojnë me fjalën dhe i këndojnë ndjenjave.

Ngjarjet e këtilla historike, edhe përskaj tendencës në rritje të krizës ekonomike dhe inflacionit na bëjnë që të kthehemi në gjenezë, të rifreskojmë mendjet dhe me xhelozi të mbrojmë vlerat të cilat gjithnjë e më shumë janë në zhdukje.

Në periudha të ndryshme historike ku shqiptarët kanë qenë të sunduar, arma e tyre e vetme ka qenë fjala, më saktësisht kënga, ose vargu. Varg që është kultivuar nga nënat që i kanë kënduar fëmijëve të tyre.

Është e habitshme, sonte po flasim për poezinë! Është data 22 nëntor dhe sonte po flasim për poezinë. Kur të gjithë njerëzit i kanë sytë kah Katari dhe kupa botërore në futboll, ne sonte jemi këtu për nder të poezisë. Ne po krijojmë një marrëdhënie!

“Pasja e një marrëdhënie me dikë tjetër është e mundur vetëm kur nuk ekziston asnjë imazh. Kur unë të mundem t`ju shikoj ju dhe ju të mundemi të më shikoni mua pa imazhin e kujtesës, të fyerjeve dhe të gjitha të tjerave, atëherë ekziston një marrëdhënie, por vetë natyra e vëzhguesit është imazhi, apo jo? Imazhi im vëzhgon imazhin tuaj, nëse është e mundur që ai ta vëzhgoje atë, dhe kjo quhet marrëdhënie , por ajo është ndërmjet dy imazheve, një marrëdhënie e cila nuk ekziston, sepse të dyja palët janë imazhe”, ka thënë Jiddu Krishnamurti.

Sonte po flasim për fillimin e jo ikjen. Po beteja e njerëzve të mëdhenj me shpirt artistik është përfundimi.

Aktori Kristofer Plamer që ishte aktiv në skenë edhe në moshën 86 vjeçare, e tha publikisht dëshirën e tij:” Dua që të vdes në skenë. Kjo do të ishte një mënyrë teatrale për të ikur”.
Valon, mirë se-erdhe në skenën e librit, kësaj bote pakufi që të tërheq zvarrë deri në frymën e fundit. Ej ti, dëgjo! Bota e librit është e mbushur me paragjykime. E ngulfatur nga teknologjia, e vyshkur prej tiketave nëpër bastore, e lënë anash në raftet e harresës. Disa studiues ishin mbledhur për një problem dhe kishin parë me habi sendet e çuditshme mbi tavolinë: libra! Ç’ janë këto sende, ia bëri me habi njëri studiues. Tjetri në buzëqeshje u përgjigj: Janë libra.

Qasjet tendencioze ndaj librit janë të mëdha. Ej, mos u frikëso. Është libër.
Valon Nuhiu në librin e tij “Fjalë për ty” i shkruan dashurisë, momentit të ikjes. Përshkrimi i tij, lidhet me yjet, hënën dhe qiellin.

“Ishe yll i vetëm që ndriçoje,
Dhe ti shkove në këtë natë pa agim,
S`je afër të më ndihmoje,
Në këtë natë plot ankth e pambarim.”
Në një vend tjetër, ai lirshëm i shpallë luftë urrejtjes, të kundërtës së dashurisë. Cilësia e njerëzve që mbjellin urrejtje është e dëmshme për individin dhe shoqërinë.
“ Mos mbjell urrejtje
Se dashuria duhet të mbizotërojë,
Ajo s`duhet të ketë tretje
E tillë gjithmonë duhet të rrojë.”
Njerëzit pa dashuri janë foshnje të urrejtjes. Ata janë të mbyllur në lojërat e shpirtvegjëlve dhe bëhen vegël me sustë.
“Kukuvajka sëmundjen ma këndon,
Me zërin e saj të trishtë sëmundjen ma rëndon.
Në errësirën e natës s`shoh yje
Vetëm terr e natë si nëpër pyje.”
Varfëria, për Valon Nuhiun është tamam si një plakë e mjerë që rrënon shpirtrat dhe nxjerr shumë njerëz rrugëve.
“ Fëmijë këmbëzbathur gjen në rrugë
Kanë shtrirë dorën e mëshirë kërkojnë,
Për një kafshatë buke e gjellë një lugë,
Që sado pak etjen ta kalojnë.
Dimri i zë ashtu trishtueshëm nëpër lagje
Ashtu në dhomë të ftohtë pa zjarr,
Me zë drithërues që nuk kanë paqe
Nga zorrët që ngopen vetëm në varr.”
I tillë është misioni i poetit. Të ndërgjegjësoj dhe edukoj njerëzit për t`u solidarizuar me të tjerët.
FALEMINDERIT.” përfundon fjalën e ti, Hamdi Nuhiju./InfoShqip.com

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu