Prania e flamujve dhe simboleve të Federatës Ruse gjatë një feste fetare ngre pikëpyetje serioze mbi mesazhin politik që bartin këto manifestime. A kemi të bëjmë me një ritual thjesht fetar, apo me një ngjarje që shfrytëzohet për të dërguar sinjale politike? Në kontekstin e marrëdhënieve të tensionuara Kosovë–Serbi dhe ndikimit në rritje të Rusisë në rajon, këto pamje marrin një domethënie më të gjerë se sa një festë tradicionale.
Në Liqenin e Ujmanit është shënuar festa ortodokse e Bogojavlenjes përmes manifestimit tradicional të notimit për Kryqin. Në këtë aktivitet, mbi 300 qytetarë serbë janë hedhur në ujërat e ftohta të liqenit, pavarësisht temperaturave të ulëta, duke tentuar të kapin kryqin – një numër rekord pjesëmarrësish krahasuar me vitet e kaluara.
Manifestimi ka tërhequr një numër të madh pjesëmarrësish dhe shikuesish, ndërsa gjatë organizimit janë vërejtur edhe flamuj dhe simbole me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole shtetërore të Federatës Ruse. Po ashtu, disa pjesëmarrës janë parë të veshur me bluza me fytyrat e terroristëve të Banjskës, çka ka nxitur reagime dhe shqetësime në opinionin publik.
Kisha Ortodokse Serbe ka deklaruar publikisht se, për arsye sigurie dhe për shkak të kushteve të motit, nuk ka marrë përgjegjësinë për organizimin e kësaj ngjarjeje, ndonëse ajo është mbajtur sipas traditës së viteve të mëparshme.
Gjatë gjithë kohëzgjatjes së aktivitetit, të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë monitoruar situatën dhe janë angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Dashevci: Liqeni i Ujmanit po kthehet në arenë të luftës hibride nga Serbia
E për këtë temë për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, i cili vlerëson se, prania e flamujve dhe simboleve shtetërore të Rusisë në një territor strategjik si Liqeni i Ujmanit përbën alarm.
Sipas tij, çdo simbol shtetëror i huaj i përdorur për të dërguar mesazhe politike në Kosovë duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare.
“Nga aspekti i sigurisë kombëtare, një manifestim i tillë nuk mund dhe nuk duhet të shihet si ngjarje thjesht fetare. Prania e flamujve dhe simboleve shtetërore të Rusisë në një territor strategjik si Liqeni i Ujmanit përbën sinjal alarmi serioz për rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës… Kjo paraqet instrumentalizim të fesë për qëllime gjeopolitike, ku simbolika fetare përdoret si mbulesë për mesazhe politike dhe ndikim të huaj. Sfida direkte ndaj autoritetit shtetëror, veçanërisht në një zonë me rëndësi jetike për energjinë dhe furnizimin me ujë…Element i luftës hibride, ku përmes simboleve, narrativave dhe provokimeve (nacionaliste) dhe tendencioze synohet destabilizimi, frikësimi i qytetarëve dhe minimi i besimit në institucionet e sigurisë. Çdo simbol shtetëror i huaj i përdorur për të dërguar mesazhe politike në territorin e Kosovës duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare, jo si folklor apo rastësi”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Dashevci tregoi se si mund të lidhet kjo ngjarje me raportet e përgjithshme Kosovë Serbi dhe ndikimin rus në rajon.
Në këtë pikë, u shpreh se ngjarja në Ujman duhet të parë si alarm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, duke parë ndikimin rus dhe lidhjet me Serbinë.
“Në fakt, Liqeni i Ujmanit po kthehet në arenë të luftës hibride nga Serbia, ku çdo flamur i huaj e përdorë dhe është mesazh politik dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Mosreagimi ose relativizimi i këtyre provokimeve do të ishte të lejojmë normalizimin e sfidave ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këtë mendoj unë duhet parë si alarm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës: ndikimi rus dhe presioni i Serbisë janë të pranishëm gjithmonë, të synuar, dhe strategjikisht të orkestruar për të provokuar vendin tonë dhe për të minuar rendin kushtetues në pjesët matan lumit Ibër”.
Ndër të tjera, ai kërkoi reagim nga institucionet e Kosovës dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare.
“Institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë mendoj unë duhet të reagojnë me vendosmëri dhe koordinim, bashkëpunim dhe bashkëveprim duke treguar se çdo tentativë për të instrumentalizuar fenë ose simbolikën shtetërore të huaj në mënyrë që të sfidojë sovranitetin e vendit do të përballet me përgjigje të qartë, të koordinuar dhe të pakompromis”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.
Gecaj: Prania e simboleve ruse nuk është rastësore dhe nuk lidhet me traditën fetare ortodokse në Kosovë
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj potencoi se prania e simboleve ruse në Liqenin e Ujmanit nuk është rastësi.
Gjithashtu, ai në bashkëbisedimin e tij “Bota sot” theksoi se flamujt e paraqitur, tregun se kishte interes për ta zhvendos ngjarjen nga sfera fetare në atë politike dhe për të përcjellë një mesazh të qartë provokues.
“Manifestimi i Bogojavlenjes në Liqenin e Ujmanit, si festë fetare, në parim duhet të mbetet brenda kornizës së ushtrimit të lirë të besimit. Megjithatë, shfaqja e flamujve dhe simboleve shtetërore të Federatës Ruse gjatë këtij organizimi e zhvendos ngjarjen nga sfera fetare në atë politike dhe përbën një mesazh të qartë provokues.
Prania e simboleve ruse nuk është rastësore dhe nuk lidhet me traditën fetare ortodokse në Kosovë. Ajo bart një mesazh politik të dyfishtë: së pari, synon të sfidojë sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në një zonë strategjike dhe të ndjeshme; së dyti, shërben si shprehje simbolike e aleancës ideologjike dhe politike ndërmjet nacionalizmit serb dhe interesave gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”, deklaroi ai.
Më tej, Gecaj tregoi se si kjo ngjarje ndikon në raportet Kosovë-Serbi, e të cilat vlerëson se raportet mes palëve janë të tensionuara.
Për këtë, ai tha se Rusia është faktor nxitës indirekt për konflikte e tensione të reja.
“Kjo ngjarje lidhet drejtpërdrejt me raportet Kosovë–Serbi, të cilat vazhdojnë të mbeten të tensionuara, veçanërisht në veri të vendit. Instrumentalizimi i festave fetare për qëllime politike është një praktikë e njohur, përmes së cilës dërgohen sinjale refuzuese ndaj integrimit institucional dhe dialogut, si dhe ushqehen narrativa destabilizuese. Në këtë kontekst, Rusia shfaqet si faktor nxitës indirekt, duke e përdorur ndikimin simbolik dhe politik për të minuar stabilitetin, për të penguar normalizimin e marrëdhënieve dhe për të ruajtur vatra tensioni në rajon”.
Në fund, eksperti shtoi se, ky rast nuk duhet të trajtohet si akt spontan, por si një akt provokues për të nxitur tensione.
“Në përfundim, shfaqja e simboleve të Federatës Ruse gjatë një feste fetare në Ujman nuk mund të trajtohet si akt i pafajshëm apo spontan. Ajo është pjesë e një logjike më të gjerë të instrumentalizimit të fesë dhe identitetit për qëllime politike, që kërkon vëmendje serioze institucionale dhe një reagim të matur, por të vendosur, në mbrojtje të rendit kushtetues, bashkëjetesës ndërfetare dhe stabilitetit të Kosovës”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.










