Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, organizoi sot një takim me demokratët në qytetin e Elbasanit ndërsa numri dy i PD, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta duke thënë se atë takim ia ka organizuar koka e kartelit të këtij qyteti, Suel Çela.
Flamur Noka tha se Ervin Salianjit i është hapur dera e PD-së që kur doli nga burgu ndërsa shtoi se ai është i caktuar pjesë e kryesisë në selinë blu, por jo i zgjedhur me votë.
Noka u shpreh se agjenda private e Ervin Salianjit nuk ka lidhje me Partinë Demokratike ndërsa bëri me dije se e vetmja pikë ku bashkohet me të, është thirrja për protestë.
“Se çfarë kërkon Salianji është çështja e tij. Është kthyer në PD, i është hapur dera dhe është i kuptuar po jo i zgjedhur si anëtar kryesie. Një pozicion të falur unë s’do e merrja kurrë. Nëse nuk është me votë, unë nuk do e merrja. Për sa kohë do fliste në institucione, do ngrite zërin. Nga dita e parë që ka ardhur në kryesi deri parmbrëmë, ka thënë vetëm një gjë: “unë jam për protestë”.
Në gjithë periudhën që kur ka dalë nga burgu, ai tha që jam për protestë. Nuk ka thënë asgjë tjetër. Ti zotëri, ke të drejtë të dalë jashtë institucioneve në momentin që në partinë tënde nuk dëgjohesh. Po kur ti nuk ke folur asnjëherë dhe del jashtë institucioneve.
Agjendat private s’kanë lidhje me PD-në. Agjenda e tij private s’ka lidhje dhe s’do ketë lidhje me PD-në. Sot në Elbasan, më vjen keq ta them por duke përjashtuar punëtorët e një ndërmarrjeje private dhe një kryetar grup seksioni dhe ish deputetin Qani Xhafa, shumica aty ishin të urdhëruar nga Suel Çela.
Sot, aktivitetin ia ka organizuar Suel Çela. Suel Çela është kreu i kartelit të Elbasanit. Ia kam thënë në mbledhje që do shkosh në një takim që po ta organizon kreu i kartelit Çela. I kam thënë që ju jeni lidhje e fortë miqësore dhe keni mbrapa Ergys Agasin.
Këto janë agjenda private që s’kanë lidhje me PD-në. Ai, me organizimin që i ka bërë Suel Çela sot, është i vetëpërjashtuar. PD ka një vijë të kuqe, vija e kuqe e PD është krimi i organizuar, korrupsioni dhe kartelet. Shkoi në një aktivitet të organizuar nga Suel Çela. Andi Mema është koordinator i Suel Çelës, ka punuar për Sara Milen.”-tha Noka.










