Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ende po e sheh të mundshëm një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje pavarësisht se dy ditë më parë e la mundësinë e kalimit në opozitë nëse s’arrin një marrëveshje me Albin Kurtin.
Në një përgjigje me shkrim për Express, Shefi i partisë së dytë në Kosovë, ka thënë se po e pret certifikimin e zgjedhjeve për të lidhur koalicion me partinë fituese.
“Vetëm pas certifikimit qartësohet se kush e ka të drejtën e mandatarit. Deri te certifikimi po punojmë me VV’në për të harmonizuar programin qeverisës për një koalicion të mundshëm”, thotë Mustafa.
Dy ditë më parë lideri i LDK’së e la mundësinë e kalimit në opozitë nëse s’pajtohen me Vetëvendosjen për programin qeverisës dhe pozitat shtetërore.Por, tash Mustafa thotë se gjithçka sqarohet kur përfundon procesi zgjedhor edhe në KQZ.
“Derisa çdo ditë numërohen e rinumërohen vota dhe nuk ndalet vargoni i votave nga jashtë Kosova edhe një muaj dite pas përfundimit te zgjedhjeve, natyrisht se si pasojë prolongohet mundësia e koalicionit”, theksoi Mustafa.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë nisur takimet për të harmonizuar programet qeverisëse pavarësisht se zgjedhjet nuk janë certifikuar. Janë marrë vesh për Qeverinë me 12 ministri e 26 zëvendësministra. Por, ende s’kanë folur për pozitat dhe ndarjen e Ministrive.Isa Mustafa thotë se gjithçka sqarohet kur të dihet fituesi dhe deputetët e legjislaturës së VII.
“Duhet, të gjithë, ta kemi të qartë se marrëveshje për koalicion nuk mund të ketë pa certifikimin e rezultateve. Sepse, vetëm atëherë dihet zyrtarisht se kush nga partitë apo koalicionet sa deputetë ka dhe kush janë deputetët”, ka thënë Mustafa.Është raportuar se LDK po synon të marrë Kryetarin e Parlamentit, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Lidhja Demokratike e Kosovës prej vitit 2004 asnjëherë s’ka dalë fituese e zgjedhjeve. Gjithmonë ka dalë e dyta.Para zgjedhjeve, LDK dhe VV kishin bërë marrëveshje të pashkruar se kush del i pari do të udhëheq me Qeverinë. Këtij zotimi i janë përmbajtur edhe pas zgjedhjeve.Megjithëkëtë, Nënkryetari i LDK’së Lutfi Haziri, në dy ditë e fundit, ka lëshuar deklarata se Kryeministri i ri kalon nëpër zyrat e partisë së tij.
Madje, sot, në FB, ka shkruar se mund të shkohet edhe në zgjedhje të reja.Në zgjedhjet e 6 tetorit, VV ka dalë e para me rreth 25 për qind të votave pasur nga LDK dhe e treta PDK. Partia e katër ka dalë AAK’ja. Ende s’dihet nëse NISMA e Limajt e ka kaluar apo jo pragun zgjedhor.