Fluturimi i parë i “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit

“Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, ku aksioner është edhe shteti shqiptar, ka nisur fluturimin e parë Tiranë-Stamboll, me studentët e ekselencës.

I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Rama u uroi studentëve rrugë të mbarë, ndërsa iu drejtua duke u thënë se ata janë fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër. I pranishëm në Rinas në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Ai tha se studentët e ekselencës janë këmba më e mbarë për të nisur historinë e fluturimeve të kompanisë së parë ajrore shqiptare. “Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë. Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë. Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës por nuk jam i autorizuar ta ndaj publikisht, por i uroj vërtetë t’ia dalë”, tha Rama.

Pasditen e së premtes, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, u ul në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku do të zhvillohet dhe një ceremoni inaguruese. Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu