Fokusi në Ukrainë, por Egjeu gati të “marrë flakë”, Turqia qëllon me predha pranë ishujve grekë

Tensioni është tepër i lartë mes Greqisë dhe Turqisë ku duket se vera do të jetë tepër e nxehtë. Pas kërkimeve sizmike të kryera gjatë ditëve të fundit nga anija “Çesme” në zemër të ishujve të Egjeut Qendror, tashmë Turqia ka shkuar edhe një hap më tej duke njoftuar për stërvitje të marinës në këtë territor.

Sipas NAVTEX-it të shpërndarë nga marina turke, gjatë ditës së sotme dhe nesër, anijet ushtarake të Turqisë do të kryejnë stërvitje me zjarr të vërtetë në zonën pranë ishullit Skiros të Greqisë, gjë që Athina e konsideron një provokim të drejtpërdrejt dhe shkelje të sovranitetit territorial të vendit.

Më herët, kryeministri grek Mitsotakis takoi homologun e tij gjerman Scholz duke i treguar hartën e pretendimeve turke në Egje dhe Detin e Zi.

Raportet mes dy shteteve janë tensionuar sërish në prag të zgjedhjeve në Turqi, ndërkohë që Ankaraja i kërkon Athinës demilitarizimin e ishujve grekë përballë tokës turke, ashtu siç ishte parashikuar në marrëveshjen e Lozanës.

Ishujt greke qe sipas Turqise duhen demilitarizuar

Turqit kanë publikuar foto të ishujve grekë ku duken baza ushtarake dhe stërvitje me artileri të rëndë, ndërkohë që sipas tyre kjo është e ndaluar nga traktatet ndërkombëtare, pasi marrëveshja mes dy shteteve dhe fuqive të mëdha është që në ishujt grekë përballë tokës turke të mos ketë ushtarë apo mjete ushtarake.

Situata duket e tensionuar nisur edhe nga fakti se shtetet kishin qenë në prag të luftës verën e shkuar sipas asaj që deklaroi ish-ambasadori amerikan për “Kathimerini” pak para se të linte detyrën në Athinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu