Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, është duke zhvilluar takimin me nënkryetarët e kësaj partie, për të vendosur për formimin e qeverisë së re dhe kolicionin me partitë fituese pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit.
Jozyrtarisht mësohet se jo të gjithë anëtarët e kryesisë mbështesin parimin “fituesi me fituesin”, transmeton “Zurnal”.
Një nga skenarët e shumëpërfolur është që ministri i jashtëm Nikolla Popovski të vijë në postin e kryeministrit.
Mes tjerash, VMRO-DPMNE duket se ka lëshuar pe edhe për postin e kreut të Kuvendit, post që thuhet se më në fund do ta marrë BDI-ja.
Zyrtari i lartë i partisë së Ahmetit, kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, gjatë një takimi me ambasadorin e BE-së Samuel Zhbogar, deklaroi se do të preferonte që kreu i VMRO-DPMNE-së Gruevski të mos ishte partner por kundërshtar sepse sipas tij, retorika e Gruevskit, nxit motivet për vepra të mira.
Dehari thotë se nuk duhet të partitë politike të kenë primare interesat personale ose të grupacioneve politike.
“Në një mënyrë kundërshtarë, meqë të motivon më shumë për të bërë punë të mbara. Në fakt me rëndësi është bashkëpunimi i të gjithëve.
Nëse u qasemi problemeve nga këndvështrimi i qytetarit, atëherë kjo do të na motivojë të gjithëve për të bashkëpunuar që qytetarët tanë t’i shohim një jetë më të mirë.
Për mendimin tim, për këtë shtet, ajo që është më se e nevojshme është funksionimi i një organi hetues të pavarur dhe organeve gjyqësore të pavarura”, deklaroi Fatmir Dehari.
Ambasadori Zhbogar përsëriti qëndrimin unanim të ndërkombëtarëve se vendit i duhet një qeveri që do të angazhohej në zbatimin e reformave urgjente prioritare të cilat duhet të marrin mbështetje në Kuvend.
“E rëndësishme është që të fitojmë një qeveri që do të angazhohet seriozisht, sinqerisht dhe tërësisht në zbatimin e reformave urgjente prioritare dhe janë të përmendura në raportin e KE-së.
Ne besojmë se agjenda evropiane mund të bashkojë të gjithë partitë, jo patjetër qeverinë, por të gjithë partitë që ta mbështesin atë, të mbështesin reformat kur të arrijnë në parlament”, tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Ndërkohë, Gruevskit i mbeten edhe dy ditë kohë për formimin e maxhorancës.
Në rast të dështimit për formimin e qeverisë, presidenti i Gjorge Ivanov është i detyruar të emërojë mandatarin tjetër.