Foto ekskluzive e Selës në spital, bashkë me policët që e shpëtuan (FOTO)

Portali tetovasot.com ka arritur të sigurojë fotografi të shkrepur pak çaste para se Ziadin Sela të lëshojë spitalin e Tetovës. Në foto duket Sela dhe tre djemtë e njësitit Alfa që bënë evakuimin e Ziadin Selës nga Parlamenti, bashkë me Fetah Alimin. Takimi ka qënë tepër emocional ku Ziadin Sela dhe familjarët e tij i kanë falenderuar këto djem për trimërinë, guximin dhe aktin heroik të kryer natën e 27 prillit.

Siç mëson Tetovasot, djemtë Sherben Reka, Liridon Dalipi dhe Musa Selimi, kanë marrë urdhër nga shefi i njësisë që nuk ka qënë shqiptar siç pretendohet në media, që të hyjnë në parlament të evakuojnë kolegët e tyre policë të dëmtuar. Ata kanë hyrë brenda parlamentit të maskuar si protestues dhe kanë arritur në hapësirën ku kanë qënë shumica e deputetëve. Pasi kanë vërejtur se Ziadin Sela nuk gjendet mes tyre, ata kanë kërkuar dhomë më dhomë deri sa e kanë gjetur në dhomën 334 pranë Fetah Alimit.

Pasi kanë gjetur Selën, kanë filluar të organizojnë evakuimin, plan që ka hasur në mjaft pengesa, sidomos nga funksionerë të VMRO-së. Ata janë përplasur verbalisht me disa kolegë policë dhe funksionerë të VMRO-së dhe nuk kanë pranuar dhe dëgjuar asnjë urdhër prej tyre. Hileja profesionale e shmangies së pengesave gjatë evakuimit ka qënë maskimi i Selës dhe thirrja e tyre nëpër korridore të Parlamentit se gjoja po evakuojnë një koleg të tyrin polic. Ziadin Sela në spital është dërguar me mjet Autoblind të policisë ku as shoferi i automjetit nuk e ka ditur se brenda tij ndodhet kreu i Lëvizjes për Reforma.

Krejt këtë ngjarje e konfirmon edhe Fetah Alimi, personi i njohur për opinionin si shpëtimtari i Ziadin Selës, i cili e ka marrë atë prej duarve të huliganëve dhe e ka fshehur të dhoma 334. Vlen të theksohet edhe ndihma e dhënë nga mjeku i ndihmës së parë, Ylber Sejfedini nga Shkupi, i cili ka qënë pranë Selës në dhomën 334 dhe i ka dhënë ndihmën e parë dhe që është përplasur fizikisht dhe verbalisht me ish ministrin e shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Ky i fundit ka dhënë urdhër që Sela të dërgohet në Spitalin e Qytetit që ndodhet vetëm pak metra pranë Parlamentitdhe shumë afër protestuesve, ku siguria ka qënë mjaft e ulët. Në ato momente ka luajtur rol kyç mjeku i ri nga Shkupi, i cili në koordinim me Arben Taravarin dhe dikë tjetër nga një ambasadë e huaj, kanë insistuar që ta dërgojnë në Spitalin Klinik Nënë Tereza, pasi siguria ishte më e madhe dhe ku e prisinin familjarët dhe grupi i mjekëve shqiptarë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu