Gashi shpalli zgjedhjet lokale, raundi i parë më 19 tetor

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi shpalli sot 9 gushtin 2025, si datë për zgjedhjet lokale në të gjitha 80 komunat dhe në Qytetin e Shkupit.

Pas shpalljes së zgjedhjeve, Gashi bëri thirrje që procesi zgjedhor të jetë dëshmi e pjekurisë demokratike dhe pasqyrim i vullnetit të qytetarëve, jo i manipulimeve.

“Zgjedhjet nuk janë vetëm një proces teknik, por thelbi i demokracisë sonë. Ato përfaqësojnë një mundësi reale që qytetarët të zgjedhin udhëheqës që pasqyrojnë përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik”, tha Gashi.

Ai u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe kandidatëve që të tregojnë nivel të lartë kulture politike, të shmangin presionin, gjuhën përçarëse dhe keqpërdorimin e institucioneve apo burimeve publike për interesa partiake.

“Ky proces duhet të fokusohet te qytetari, te nevojat e tij reale dhe te zgjidhjet konkrete që secili kandidat duhet të ofrojë”, theksoi Gashi.

Sipas tij, këto zgjedhje duhet të reflektojnë vlerat dhe standardet evropiane dhe përkushtimin e vendit për integrim evropian.

Për këto zgjedhje të teta me radhë pas pavarësimit të vendit, shteti ka ndarë një buxhet prej 9.7 milionë eurosh. Një pjesë e madhe e kandidatëve tashmë janë bërë të ditur. Fushata zyrtare fillon 20 ditë para ditës së votimit.

Fushata zgjedhore nis më 30 shtator dhe do të zgjas 20 ditë. Raundi i parë i votimit do të mbahet më 19 tetor 2025, ndërsa raundi i dytë do të mbahet dy javë më vonë, më 2 nëntor.

Në raundin e parë do të zgjidhen përbërjet e reja të këshillave komunalë, ndërsa për kryetar komune do të konsiderohet i zgjedhur ai që merr shumicën e votave, me kusht që në votim të marrin pjesë të paktën një e treta e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore të komunës përkatëse. Nëse asnjë kandidat nuk i plotëson kushtet, zhvillohet raundi i dytë, ku qytetarët zgjedhin mes dy kandidatëve me më shumë vota.

Sipas Kodit Zgjedhor, 15 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve fillon periudha 20-ditore për kontrollimin e të dhënave në Listën Zgjedhore, ku qytetarët mund të kontrollojnë ose kërkojnë korrigjime.

Kandidaturat për këshilltarë dhe kryetarë komune konfirmohen 30 ditë para zgjedhjeve, dhe fushata nis 20 ditë para datës së votimit.

Nga data 9 gusht është ndaluar punësimi i ri në administratën shtetërore dhe institucionet publike. Po ashtu, Ministria e Financave është e detyruar të publikojë online çdo pagesë nga buxheti përveç pagave, pensioneve dhe shpenzimeve komunale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu