“Gati për betejë”, Pochettino: Mos harroni, eliminuam Barçën dhe Bayernin

PSG dështoi në sfidën e parë gjysmëfinale me Manchester City. Kampionët e Francës humbën 1-2, rezultat që e bën më të vështirë synimin për të kaluar në finalen e Champions League. Në konferencën për shtypin Mauricio Pochettino foli rreth duelit të zjarrtë.

Trajneri argjentinas e nis fjalën e tij rreth gjendjes së Kylian Mbappe, i cili ka pasur probleme fizike. “Të shohim se çfarë do të ndodhë. Ai do të kryejë një seancë stërvitore individuale sot, për të parë nëse do të jetë i gatshëm për takimin e ditës së nesërme.

Nesër do të vendosim në lidhje me aktivizimin e tij. Ndeshja? Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur mes qarkullimit të topit dhe lojës pa top. Jemi gati për të vuajtur ndaj Manchester City. Duhet të shfaqemi cinikë dhe agresivë, të jemi të përqendruar gjatë gjithë 90 minutave.

E dimë që duhet të shënojmë dy gola për t’u kualifikuar në finale, do të përpiqemi të realizojmë këtë objektiv. Duelet gjysmëfinale janë gjithmonë të vështira, nuk është aspak e thjeshtë të menaxhosh ngarkesën emocionale të dy ndeshjeve.

City ndodhet në avantazh, ndërsa ne duhet të luajmë me kurajë të madhe, duhet të rrezikojmë. Na pret një betejë e madhe, por jemi gati. Duhet të marrim parasysh shumë gjëra, si aspekti emocional. Nuk vlen vetëm taktika për këto lloj ndeshjesh.

Kemi eliminuar Barcelonën dhe Bayern Munchen. E meritojmë të jemi këtu ku jemi, e njëjta gjë edhe për Manchester City. Champions është turneu më prestigjioz pas Kupës së Botës. Do të ishte e jashtëzakonshme fitimi i trofeut me PSG“, përfundoi Pochettino.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu