Georgievski: Sot shqiptarët po e mbajnë Maqedoninë që të mos bashkohet me botën serbe

Ish-kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-Popullore, Ljubço Georgievski në paraqitjen e tij më të fundit doli me qëndrime të forta dhe mbresëlënëse lidhur me situatën aktuale politike dhe rolin e bllokut politik shqiptar në vend, shkruan portali Vestimak.

Sipas tij, politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka përjetuar një evolucion të rëndësishëm dhe aktualisht përfaqëson një garant kyç për ruajtjen e kursit gjeopolitik të shtetit.

Georgievski theksoi se me kënaqësi po e ndjek pjekurinë politike të shqiptarëve në vend, duke nënvizuar se ata janë shndërruar në një forcë serioze shtetformuese, e cila sipas tij tejkalon një pjesë të madhe të subjekteve politike vendase.

“Sot më gëzon fakti se ka një evolucion shumë serioz të faktorit shqiptar në Maqedoni. Te faktori shqiptar sot me kënaqësi njoh një strukturë shtetformuese, madje shumë më të fortë se shumë struktura brenda faktorëve politikë maqedonas”, deklaroi Georgievski.

Në deklaratën e tij, ai paralajmëroi për rreziqet nga ndikimet rajonale, duke veçuar veçanërisht konceptin e ashtuquajtur “botë serbe”.

Georgievski vlerëson se pikërisht qasja shtetformuese e faktorit shqiptar është pengesa kryesore që Maqedonia të mos bie nën ndikimin e plotë të këtij koncepti.

“Kam frikë se në këtë moment, po të mos ishte shtetformueshmëria e shqiptarëve, ne tashmë do të kishim përfunduar njëqind për qind në botën serbe. Prandaj mund t’ju them lirisht se sot shqiptarët po e mbajnë Maqedoninë që të mos bashkohet me botën serbe”, u shpreh prerazi Georgievski.

Deklarata e tij ka tërhequr vëmendje në opinion, duke hapur debat për dinamikat e brendshme politike dhe ndikimet e jashtme që reflektohen përmes faktorëve politikë në vend./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu