Diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale dhe nevojën për thellim bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën, kanë pasur sot ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe të Gjermanisë.
Vendin e ka vizituar të enjten ministri gjerman Heiko Maas, që është pritur nga homologia kosovare, Donika Gërvalla.
“Fillimisht, ministrja Gërvalla ka falënderuar z.Maas për vizitën e tij në Kosovë. Duke i vlerësuar të shkëlqyera raportet në mes të dy vendeve, kryediplomatja Gërvalla ka shprehur mirënjohjen e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për të gjithë kontributin dhe ndihëm që Gjermania i ka ofruar Kosovës, nëpër të gjitha fazat e shtetëndërtimit. Gjatë takimit, dy ministrat janë fokusuar në diskutime lidhur me marrëveshjet bilaterale në mes të dy vendeve, me ç’rast kanë vlerësuar se duhet të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, arsimin e shkencën. Kosovës u tha se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq është bërë e ditur se aty është diskutuar edhe për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve, “e cila është afër përmbylljes”.
U nënvizua edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani, ku mbi 400 mijë shqiptar u tha të jenë të integruar mirë në shoqërinë gjermane.
Pala gjermane shprehu gatishmërinë që të ofrojë mbështetje për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës sa i përket reformave të brendshme, por edhe për shërbimin e saj të jashtëm, përfundon njoftimi i MPJ-së.









