Derisa kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov po argëtohej me një lojë në celularin e tij, zëvendësministrin e Ekologjisë, Jani Makraduli e kishte kapluar gjumi. Kjo ndodhi pikërisht sot në seancën parlamentare ku po debatohej për ndotjen masive në Shkup dhe qytetet e tjera në Maqedoni, shkruajnë portalet maqedonase si Kurir.
Në një foto të publikuar nga disa portale shihet se si zv/ministri Makraduli ka mbyllur pak sytë për të bërë një sy gjumë. Portali Pressing në anën tjetër publikoi një video ku shihet Shilegov duke luajtur një lojë në celular, derisa deputetët po diskutonin me shqetësime rritjen enorme të ndotjes.
Zëvendësministri i Mjedisit të Jetesës, Jani Makraduli në fjalën e tij theksoi se gjërat në mjedisin e jetesës nuk zgjidhjen me populizëm, por mbi baza të njohurive shkencore dhe fakteve, ndërsa plani i Qeverisë për ballafaqimin me ndotjen e ajrit është i pari plan real dhe dokument kredibil i cili jep zgjidhje.
Në mënyrë drastike është ndryshuar parimi, shtoi Makraduli, sepse nuk e matim ndotjen por ballafaqohemi me burimet e ndotjes së ajrit. Para të pranishmëve foli edhe ambasadori francez Kristian Timonie, i cili tha se në zbatimin me problemin e ndotjes dhe mbrojtjes së mjedisit të jetesës dhe mbrojtjes së mjedisit ekziston një urgjencë, sepse bëhet fjalë për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. Shkupi dhe Tetova mbeten qytetet me nivelin më të lartë të ndotjes në Evropë, por edhe në botë. /ina












