Gjendje katastrofike në Gaza: Uri ekstreme dhe trupa që bien rrugëve nga mosushqyerja

Akram Basheer, një baba palestinez nga Deir al-Balah në Gaza, jeton çdo ditë me dhimbjen më të madhe për një prind: fëmijët e tij qajnë nga uria, dhe ai nuk ka asgjë për t’u dhënë. “U premtoj se kur të përfundojë bllokada izraelite, do të hani çfarë të dëshironi,” thotë ai me zë të ulët. Por e di mirë se është një premtim që nuk mund ta mbajë.

Që prej marsit, Gaza është nën një bllokadë të plotë nga Izraeli, që ka ndërprerë të gjitha furnizimet me ushqime, ujë dhe ndihma humanitare. Familja e Basheer jeton me shpresën për një vakt të vetëm në ditë – dhe edhe atëherë, nuk është i mjaftueshëm. Fëmijët e tij janë dobësuar, nuk përqendrohen dot, flenë shumë dhe mendojnë vetëm për ushqim.

“Ushqimi nuk ka vlera ushqyese. Edhe kur hanë, nuk ngopen,” thotë Basheer, ndërsa shqetësimi më i madh i tij janë prindërit e moshuar, sidomos babai që vuan nga diabeti dhe tensioni i lartë. “Ai bie nga lodhja, së fundmi theu dorën dhe pa qumësht apo vezë, as kockat nuk shërohen.”

Situata është edhe më e rëndë në pjesë të tjera të Gazës. Basem Munir al-Hinnawi, nga kampi i refugjatëve Jabalia, ka humbur 39 kilogramë që nga fillimi i luftës. Ai kujdeset për dy familje – nënën, vëllezërit e motrat, gruan dhe fëmijën e tij të vogël. “Ka ditë që nuk hamë asgjë. Vetëm ujë me kripë. Ushqimin e pakët ia japim vetëm fëmijëve.”

Shëndeti mendor dhe fizik i banorëve është në rënie të lirë. Gra që ushqejnë me gji nuk mund të ngrihen nga krevati, fëmijë që humbin ndjenjat nga uria, dhe burra që rrezikojnë jetën për të marrë ndihma, por kthehen duarbosh.

Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 113 palestinezë – shumica fëmijë – kanë vdekur nga uria, dhe dhjetëra mijëra të tjerë vuajnë nga kequshqyerja e rëndë. Një popull i tërë, në prag të urisë, përballë një bote që ende mban sytë mbyllur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu