Derisa në Kosovë ende ka mosmarrëveshje midis Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Albin Kurti në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, Gjermania ka vendosur të ashpërsojë masat preventive ndaj virusit COVID-19.
Ndonëse numri i viktimave dhe rasteve të prekura nga koronavirusi në këtë vend është më i ulët se në pjesën tjetër të Europës, Gjermania sot ka vënë në fuqi rregullën e radhës për të parandaluar shpërthimin e virusit korona në këtë vend.
Koronavirusi ka bërë që Gjermania të ndalojë takimet publike të më shumë se dy personave në mënyrë që të ngadalësohet përhapja e këtij virusi vdekeprurës.
Ashtu siç ka vendosur kancelarja gjermane, Angela Merkel, kjo rregull nuk do të vlejë për ata të cilët jetojnë në të njëjtën familje.
Kujtojmë se ky virus ka infektuar më shumë se 22 mijë njerëz në Gjermani, duke lënë të vdekur 84 persona vetëm në këtë vend.










