Një 55-vjeçar nga Shkupi është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka rrezikuar sigurinë e një helikopteri policor gjatë mbushjes me ujë për shuarjen e zjarrit në Bllacë. Ngjarja ka ndodhur më 6 korrik, kur i personi në fjalë dyshohet se ka hyrë në shtratin e lumit Vardar dhe ka hedhur gurë drejt helikopterit Bell 412, duke detyruar pilotët të ndryshojnë vendin e mbushjes, përcjell TV21. Pas hetimeve, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për rrezikim të sigurisë së trafikut ajror.
“Më 12.08.2025, në ora 18:55, zyrtarë policorë nga SP Karposh e privuan nga liria I.A. (55) nga Shkupi, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale sipas nenit 303 të Kodit Penal (rrezikimi i sigurisë së trafikut ajror).
Konkretisht, më 06.07.2025, rreth orës 18:00, derisa helikopteri policor po afrohej drejt vendit ku lumi Lepenec derdhet në lumin Vardar, me qëllim të mbushjes me ujë për shuarjen e zjarrit në rajonin e Bllacës, pilotët vunë re një person që kishte hyrë në pjesën e cekët të shtratit të Vardarit dhe po bënte shenja me duar. Më pas, nga persona që ndodheshin në vendngjarje, u njoftuan se ai person kishte hedhur gurë drejt helikopterit të tipit Bell 412, dhe për këtë arsye pilotët u detyruan ta ndryshonin vendin e mbushjes me ujë, pasi u vunë në një rrezik ekstrem për sigurinë e tyre, pikërisht në momentin kur po kryenin detyra për nevojat e shtetit dhe qytetarëve.
Pas masave dhe veprimeve të ndërmarra, I.A. u gjet dhe u privua nga liria, dhe pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të paraqitet kallëzim penal përkatës”, thonë nga MPB.