Gjuha e urrejtjes, heshtin institucionet e shtetit (VIDEO)

As presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov e as kryeministri Emil Dimitriev deri më tani nuk e gjykuan gjuhën e urrejtjes që u dëgjua në protestat e anëtarëve, simpatizantëve dhe zyrtarëve të VMRO DPMNE-së para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Fjalimi i urrejtjes ishte i drejtuar për ambasadorët, kundërshtarët dhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Ish ambasadori evropian Fuere, tha se pikërisht Ivanov dhe Dimitriev duhet të bëjnë thirrje për qetësimin e situatës, përmbajtje në këto momente të tensionuara, por ata vetëm heshtin.

“Kjo është shqetësuese dhe duhet të dënohet. Presidenti duhet të reagoj menjëherë dhe dukuritë e këtilla t’i dënojë. Por, është e qartë se ai është në gjumë. Edhe kryeministri duhet të thotë diçka menjëherë. Të gjithë liderët politik duhet të jenë të zëshëm dhe t’i dënojnë sjelljet e tilla, por për fat të keq siç pamë ditët e kaluara përmes protestave të organizuara nga partia në pushtet para selisë së KSHZ-së, ata i nxitin njerëzit në dhunë, provokojnë dhunë. Kjo është tërësisht e papranueshme dhe këtu BE dhe partnerët e saj ndërkombëtarë nuk guxojnë të hamenden, por të flasim dhe të kërkojnë sjellja e këtillë të ndërpritet ndërsa institucionet e shtetit dhe presidenti të apelojnë për qetësimin e situatës dhe të reagojnë kundër sjelljes së tillë”, është shprehur Ervan Fuere, ish ambasador i BE-së në Maqedoni.

Ndërsa protestat mbaheshin para KSHZ-së ku brohoritej kundër “shqiptarëve të mallkuar”, njëkohësisht në hapësirat e Komisionit, Subhi Jakupi nga BDI dhe Bedredin Ibrahimi nga PDSH ishin në linjë të njëjtë me VMRO DPMNE-në duke i mbrojtur qëndrimet e tyre. Zyrtarët e VMRO-së shpallën ambasadorë si të padëshiruar, ndërsa lideri i partisë lexoi shpalljen partiake, me të cilën paralajmëroi betejë kundër atyre që mendojnë ndryshe. Alsat M kërkoi qëndrim nga kabineti i presidentit Ivanov dhe nga Prokuroria Publike nëse do të reagojnë ndaj gjuhës së urrejtjes. Deri në këto momente nga këto dy institucionet, nuk ka kurrfarë përgjigje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu