Gjukanoviq paralajmëron Abazoviqin: Nëse nënshkruhet Marrëveshja me Kishën serbe – shkarkohet Qeveria

Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq ka njoftuar zyrtarisht se do ta ngrejë çështjen e zëvendësimit të Qeverisë nëse javën e ardhshme nënshkruhet Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS).

Në një intervistë për N1, ai theksoi se interesat shtetërore të Malit të Zi nuk ishin të mbrojtura sa duhet në tekstin e asaj kontrate dhe se gjithçka ishte bërë në mënyrë shumë të ngathët.

Së fundmi Gjukanoviq për portalin e Vojvodinës “Autonomija” ka treguar se pse e kundërshton tekstin e Marrëveshjes Themelore, ndërsa për N1 ka përsëritur se ai përmban pjesë që “falsifikojnë historinë e Malit të Zi”.

Ai gjithashtu konsideron se Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi janë shkelur në disa pika të tekstit të Marrëveshjes Themelore, por shton se e priste që Abazoviq të nënshkrruante Marrëveshjen Themelore me KOS-in në Mal të Zi.

Ai po ashtu thotë se ka biseduar me Abazoviqin dhe se janë pajtuar që të ndalet procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore në mënyrë që t’i jepet një mundësi tjetër raundi konsultimesh.

“Meqenëse nuk doli asgjë nga ato konsultime, kryeministri Abazoviq do të nënshkruan Marrëveshjen Themelore, të cilën ne e gjykuam se është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nëse një marrëveshje e tillë nënshkruhet, nuk ka më vend për manovrim, do të shkojmë në parlament me iniciativë për votëbesimin e Qeverisë”, tha Gjukanoviq.

Gjukanoviq vlerësoi gjithashtu se “politika shtetërore e Serbisë duhet të pranojë se Mali i Zi është një vend i pavarur që ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij”- tha ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu