Gjykata merr vendim për Glauk Konjufcën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Glauk Konjufcës në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Konjufca ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit më 10 gusht 2016. Herën e parë ishte liruar nga akuza më 26 shkurt 2024.

Aktgjykimi është shpallur sot, më 28 gusht, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, raporton”Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e rigjykimit, Prokuroria kishte kërkuar që Konjufca të shpallej fajtor dhe t’i shqiptohej një dënim meritor, duke pretenduar se veprimet e tij përbënin vepër penale.

Në anën tjetër, mbrojtja kishte kërkuar aktgjykim lirues, duke argumentuar se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Konjufca e kishte kryer veprën për të cilën akuzohej.

Konjufca gjatë rigjykimit ishte deklaruar i pafajshëm dhe ishte mbrojtur në heshtje.

Ky është rasti i dytë kur Gjykata Themelore në Prishtinë e shpall Konjufcën të pafajshëm për këtë akuzë. Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij, por Gjykata e Apelit e kishte prishur atë vendim dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Për veprën tjetër penale, “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, ndjekja penale ishte parashkruar.

Konjufca ishte akuzuar se më 10 gusht 2016, gjatë një mbledhjeje në sallën e Kuvendit, kishte hedhur gaz lotsjellës, duke shkaktuar ndërprerjen e mbledhjes dhe largimin e personave të pranishëm nga salla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu