Gostivar, Maqedonia e Veriut Skandal urban: Asfalt përmbi baltë dhe rrugë të papastruar në mes të qytetit

Në një situatë që ngjall reagime dhe dyshime për cilësinë e punimeve infrastrukturore, Komuna e Gostivarit është kapur në flagrancë duke shtruar asfalt përmbi baltë dhe shtresë të papastruar të rrugës ekzistuese.

Në fotografinë e bërë sot në qytet, shihet qartë një makineri asfaltuese që punon mbi një sipërfaqe të papërgatitur siç kërkojnë standardet ndërtimore – ku ka mbetje balte, lagështi dhe shtresë e vjetër e asfaltit që nuk është hequr apo pastruar. Punëtorët po përpiqen të nivelizojnë asfaltin e ri, ndërkohë që asfalti po vendoset mbi ndotje dhe papastërti që kompromentojnë seriozisht jetëgjatësinë e investimit.

Ekspertët e infrastrukturës paralajmërojnë se shtrimi i asfaltit në këto kushte është jo vetëm antistandard, por edhe shpenzim i panevojshëm i buxhetit publik, pasi rruga mund të dëmtohet brenda pak muajve.

Qytetarët janë të shqetësuar dhe kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet komunale. “Kjo nuk është punë, është vetëm fasadë për sy të botës,” tha një banor i lagjes që preferoi të mbetet anonim.

Kujtojmë se sipas standardeve të ndërtimit, para shtrimit të asfaltit duhet të bëhet:
• Heqja e shtresës së vjetër nëse është e dëmtuar,
• Pastrimi i sipërfaqes nga balta, mbeturinat dhe lagështia,
• Vendosja e një shtrese stabile nën asfalt për qëndrueshmëri afatgjatë.

Për momentin, Komuna e Gostivarit nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtar mbi mënyrën e kryerjes së punimeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu