Gostivari vazhdon të përballet me një situatë shqetësuese shëndetësore, pasi numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale ka vijuar të rritet. Pas përkeqësimit të situatës, epidemiologët dje shpallën epidemi në qytet përcjell INA.
Gjatë ditës së sotme pritet të publikohen rezultatet e analizave të mostrave të marra nga ujësjellësi i Gostivarit, të cilat do të tregojnë nëse uji i pijshëm është shkaktari i kontaminimit apo nëse pas rasteve fshihet një tjetër burim infeksioni.
Përdorimi i ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pije mbetet i ndaluar, pas vendimit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari të marrë të premten.
Ndërkohë, Prokuroria po pret rezultatet e analizave laboratorike për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm të procedurës, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, zona e Vrutokut, ku po zhvillohen hetimet, vazhdon të jetë nën sigurim.
Ndërkohë, për shkak të situatës së krijuar në Gostivar, janë ndërmarrë disa iniciativa për furnizimin e qytetarëve me ujë të pijshëm. Qeveria vendosi që çdo ditë të shpërndahen 50 mijë shishe me ujë, me qëllim sigurimin e nevojave bazë të banorëve derisa të përfundojnë analizat dhe të normalizohet situata.
Për sot, në ora 12:30, në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut është caktuar një konferencë për media, ku ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Marija Andonovska dhe drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Ivica Tomovski pritet të informojnë opinionin për zhvillimet më të fundit, rezultatet e analizave dhe masat që po ndërmerren për tejkalimin e situatës./INA/










