Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit që të nisin hetime ndaj kryeministrit Edi Rama, duke ngritur akuza për veprimtari të dyshuara financiare.
Në një deklaratë për mediat, Berisha kërkoi angazhimin e Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO), Interpolit, Europolit dhe Eurojust-it për verifikimin e pretendimeve që ai ngriti ndaj kreut të qeverisë.
Sipas Berishës, institucionet ndërkombëtare duhet të zhvillojnë një hetim të plotë mbi këtë çështje, ndërsa theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të kërkojë zbardhjen e pretendimeve.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i opozitës iu referua edhe akuzave të ngritura nga eurodeputeti Tomas Zdechovský ndaj kryeministrit shqiptar.
“Nga ana tjetër, i bëj thirrje Prokurorit Publik të BE-së të ndërmarrë menjëherë hetime për këtë problem tmerrësisht shqetësues. I bëj thirrje Interpolit, Europolit dhe Eurojust-it të angazhohen në hetimet më serioze ndaj Edi Ramës. Ky hetim ka një vlerë dhe rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët. Partia Demokratike do të vazhdojë kërkesën e saj për hetimin më të plotë të mundshëm”, deklaroi Berisha.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim nga Kryeministria lidhur me deklaratat e kreut të Partisë Demokratike.










