Greqia i përgjigjet deklaratave të Turqisë: Është e papranueshme që një vend i NATO-s të na kërcënojë

Pas deklaratave të presidentit turk Erdogan, i cili akuzoi Greqinë për pushtimin e ishujve të çmilitarizuar në Egje, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i dërgoi një mesazh të qartë Turqisë, duke theksuar se është e papranueshme që një vend aleat i NATO-s të vërë në dyshim sovranitetin grek.

Deklaratën Mitsotakis e bëri gjatë takimit të mbajtur këtë të martë me presidenten e Sllovakisë, Zuzana Čaputová, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Greqi.

Mediat greke shkruajnë se lidhur me retorikën agresive në rritje të Turqisë, Kyriakos Mitsotakis përsëriti se qëndrimi i përhershëm i Greqisë është dialogu i bazuar në të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare e detit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ai theksoi gjithashtu se është e papranueshme që Greqia të marrë kërcënime që shkojnë deri në pikëpyetje të sovranitetit grek nga një vend që është aleat në NATO.

Rivalët historikë, Turqia dhe Greqia ndonëse janë anëtarë të NATO-s, kanë mosmarrëveshje rreth çështjeve që variojnë nga fluturimet mbi hapësirat territoriale të të dyja palëve, statusi i ishujve të Egjeut e deri te kufijtë detarë dhe burimet hidrokarbure në Mesdhe, si dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Ankaraja së fundi e ka akuzuar Athinën për armatosjen e ishujve të çmilitarizuar të Egjeut, diçka që Athina e kundërshton. Presidenti turk Erdogan nuk e kishte akuzuar më parë Greqinë për pushtimin e tyre. /Top Channel/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu