Grubi ende vetëm i dyshuar, vetëm një lëndë në fazë hetimi

Po ja vendosin prangat pasi vet kishte vendosur të kthehet në Maqedoninë e Veriut. Me kapele, syze, i buzëqeshur dhe me një shall në duar ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi në mëngjesin e së hënës, ora 06: 10, u arrestua nga policia në pikën kufitare Bllacë.

“Sot në orën 06:10, në pikën kufitare Bllacë, në hyrje të shtetit, është privuar nga liria Artan Grubi, i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar për zhvillimin e hetimeve lidhur me veprën penale”, tha Goce Andreevski –MPB.

Grubi nga pika kufitare Bllacë është dërguar menjëherë në paraburgim në burgun e Shutkës.

Më herët atij iu shqiptua dënimi me 30 ditë paraburgim në mungesë, derisa ishte në arrati.

Që nga dhjetori i viti 2024, kishte ikur nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës, duke i paraprirë ngritjes se disa akuzave nga Prokuroria Publike disa ditë më vonë.

Komunikimi i tij i fundit ishte një status në facebook më 15 dhjetor 2024:

“Të nderuar, sot kam udhëtuar për vizitë private. Ju lutem mos shpifni dhe spekuloni. Kam udhëtuar me dokumentet e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sa po të kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi pranë familjes”, shkroi Grubi.

Grubi dyshohet për “Përvetësim në detyrë”, sepse kishte kryesuar një seancë qeveritare në momentin kur Qeveria e kishte obliguar Lotarinë Shtetërore të blejë terminale VLT, që të fillojë vetë organizimin e lojërave elektronike të fatit. Deri më tani nuk ka aktakuzë ndaj tij për këtë rast, dhe nuk ka as informacione se deri ku ka arritur lënda. Përveç Grubit, i dyshuar në këtë rast është edhe Përparim Bajrami, ish kryetar i Bordit Drejtues dhe ish drejtor i përgjithshëm i “Lotarisë Shtetërore”. Edhe ai është në arrati. Gjithashtu Grubi së bashku me gjyqtarin Enver Bexheti, u futën në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, ndërhyrje politike dhe përpjekje për diskreditimin e gjyqësorit. Arsyetimi është se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në proceset gjyqësore që lidhen me aktgjykimin penal ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu