Ministria e Jashtme e Hungarisë nuk konfirmon nëse vërtetë ish kryeministri, Nikolla Gruevski ndodhet në Budapest, nëse Gruevski ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze dhe rrjedhimisht, cili është qëndrimi i autoriteteve të atjeshme. As nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë akoma pa përgjigje për Alsat se çfarë masash do të ndërmarrin në këtë rast. Më herët gjatë ditës, para se Gruevski të shkruante publikisht se ndodhet në Budapest kryeministri, Zoran Zaev dhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska thanë se nuk besojnë që ish kryeministri të jetë arratisur jashtë vendit. Zaev kërkoi që të lejohen organet të bëjnë punën e tyre.
Të besojmë në gjyqësor, të besojmë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ta bëjnë punën e tyre. E shihni edhe disa të tjerë që më herët kanë qenë në arrati, disa janë kthyer dhe disa i dimë se ku janë. Herët ose vonë do të ekstradohen, do të kthehen mbrapsht në Maqedoni. Flas për dy bashkëqytetarët tonë që ikën në Greqi. S’ka ikje. Policia nuk ka pasur asnjë të drejtë pa akt udhëzimi ta pengojë lirinë e Gruevskit. Nuk ka pasur të drejtë as ta ndjekë dhe as të ndërmarrë diçka- deklaroi kryeministri Zoran Zaev./ina










