Guerot: Kosova po i tërheq kompanitë franceze

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se Kosova po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për kompanitë franceze. Ai e dha këtë deklaratë gjatë Ditës Franceze të Biznesit, duke theksuar se organizimi i kësaj ngjarjeje ishte zgjedhje e duhur dhe garanci suksesi për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

“Dy gjëra i vërejmë shumë qartë. Së pari, kjo ide, pavarësisht prej rreziqeve të veta, ishte zgjedhja e duhur. Së dyti, mund të themi se Kosova i tërheq kompanitë franceze”, tha Guerot.

Ai i falënderoi kompanitë franceze, veçanërisht ato që po vizitojnë Kosovën për herë të parë, duke vlerësuar guximin e tyre për të investuar në një treg të ri.

“Dua t’ju them diçka të thjeshtë. Faleminderit që pranuat të bëni këtë bast, sepse ka shumë për t’u zbuluar në Kosovë, një vend shumë i ri, me shumë energji dhe me një shpirt të fortë ndërmarrësie”, u shpreh ambasadori.

Guerot shtoi se përfaqësuesit e kompanive që kanë qëndruar në Prishtinë kanë qenë dëshmitarë të transformimit të vendit, duke përmendur zhvillimin, ndërtimin, modernizimin dhe investimet e vazhdueshme.

Ndërkaq drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se kjo ngjarje është rezultat i një pune disamujore dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Francës.

“Sot është më shumë se një konferencë. Sot është lansimi i një platforme për bashkëpunim, dialog dhe partneritet në mes të bizneseve franceze dhe hisedarëve përkatës”, tha Ujkani.

Dita e Biznesit Francez synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi në mes të sektorit privat dhe institucioneve, duke promovuar Kosovën si një destinacion atraktiv për investime të huaja.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu