Gjykata e Hagës dënoi Ratko Mlladiqin me burgim të përjetshëm.
Mladiq u shpall fajtor për krime lufte dhe krime të tjera kundër njerëzimit dhe për gjenocid për rolin e luajtur në masakrën e Srebrenicës, akuza kryesore në këtë proces.
Para se gjykata të shprehej për vendimin e saj, u detyrua që të përjashtojë nga salla Ratko Mladiqin, i cili protestoi dhe përmes avokatit të tij kërkoi shtyrjen e vendimit për arsye shëndetësore, kërkesë që u rrëzua nga gjykata.
“Roli i të akuzuarit provohet se ka qenë thelbësor dhe domethënës në kryerjen e krimeve të ndodhura, krime që pa këtë rol nuk do të kishin ndodhur në këtë masë. I akuzuari ishte në dijeni dhe ka nxitur krimet kundër kroatëve dhe boshnjakëve”, argumentoi gjykata.
I ashtuquajturi “kasapi i Ballkanit” u përball me gjykimin për masakrën më të madhe në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Mbi të rëndonin akuzat e gjenocidit në Srebrenicën e vitit 1995, gjenocidit në 6 komuna të tjera boshnjake në vitin 1992, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnje-Hercegovinën, terrorizimin e banorëve të Sarajevës me fushatën e bombardimeve dhe goditjeve me snajper, si dhe për marrjen peng të personelit të OKB-së.










